25/04/2024
7.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Përgatitjet e partive për fillimin zyrtar të fushstës

Fushata për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është para fillimit zyrtar të saj të mërkurën. Përplasjet parazgjedhore dje i kanë nxitur incidentet kur është hedhur një mjet shpërthyes mbi një dyqan në lagjen Gjorçe Petrov në pronësi të familjes së nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski e cila ka tërhequr akuza të ndërsjella mes partisë opozitare dhe asaj qeveritare, LSDM.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në terren ka promovuar projekte infrastrukturore, BDI ka vazhduar me temën e kryeministrit shqiptar, ndërsa në terren ka qenë edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski duke akuzuar përsëri pushtetin për keqmenaxhim të krizës KOVID.

Lidhur me punën e Qeverisë dhe për përgatitjet për organizim të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 15 korrik, kryeministri Oliver Spasovski dje porositi që askush të mos mendojë të punojë ndryshe nga detyrimet e tij profesionale, ligjore dhe kushtetuese.

“Në rrjedhë janë të gjitha përgatitjet e nevojshme, Treguam, gjatë tre viteve të shkuara, si Qeveri e ndershme de me përgjegjësi, se kur ekziston vullnet politik, mund të organizohen zgjedhje të drejta. Bëj porosi që të mos mendoj dikush të punojë ndryshe nga detyrat e veta profesionale, ligjore, kushtetuese. Institucionet, qytetarët, partitë, janë të obliguar të kontribuojnë secili të votojë në zgjedhje të drejta dhe demokratike, në kushte të sigurta për shëndetin e votuesve”, potencoi Spasovski.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dje bashkë me zëvendëskryetarin e partisë dhe bartësin e listës në Njësinë Zgjedhore 3, Lupço Nikollovski ka qenë për vizitë në aktivitete për rikonstruimin e aksit rrugor Rankovcë-Kriva Pallankë.

Zaev potencoi se tërë Korridori 8 po rikonstruohet, akset rrugore po riparohen dhe për një vit qytetarët do të kenë riparim të plotë dhe modern të rrjetit rrugor drejtë Republikës së Bullgarisë.

Lidhur me nxitjen e tensioneve nacionaliste në kohë para zgjedhjeve, presidenti Stevo Pendarovski në intervistën për REL konsideron që nacionalizmi nuk luan rol të rëndësishëm apo dominues para zgjedhjeve, as nuk ka rëndësi paragjykuese për atë se kush do të jetë fitues zgjedhor.

“Shpërthimet e këtilla të caktuara të nacionalizmit, mua më duket sikur janë vetëdijshëm të kahëzuara mediatikisht për të arritur efekte tek një pjesë e targetuar e popullatës”, thotë presidenti i Republikës, duke cekur se nacionalizmin e nxisin partitë politike të cilat marrin pjesë në zgjedhje dhe dëshirojnë të bëjnë rezultat dhe konsiderojnë se elektorati i tyre partiak dëshiron ta dëgjojë atë.

Rreth idesë së BDI-së për “kryeministër shqiptar”, Pendarovski thekson se nuk ka kurfarë pengese kushtetuese, politike apo ligjore që kryeministri i shtetit të jetë shqiptar.

“Nuk hyj në atë se cilët janë motivet e tyre partiake, i kam të qarta, megjithatë nuk shoh kurfarë pengese që ta cekin atë si kërkesë të tyre politike para partnerëve të tyre të ardhshëm potencial në qeverinë e ardhshme, nëse do të jenë në situatë të tillë. Atë që unë dëshiroj ta them në atë kontekst se deri më tani partia në pushtet, përkatësisht kryetari i partisë më të madhe në shumicën në pushtet çdoherë me dy përjashtime të vogla, ka qenë edhe kryeministër. Kryeministri, sipas rendit tonë të vendosur të sistemit politik, është figura më e fuqishme politike, këtë e dimë të gjithë”, shton shefi i shtetit.

Nga ana tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për kushtet që i parashtroi BDI për kryeministër shqiptar dhe për pranim të kërkesave bullgare, tha se BDI llojin e tillë të kërkesave mund t’i mbajnë vetëm në radhët e veta për inkurajim të anëtarësisë së tyre.

Ai shton se VMRO-DPMNE është parti politike e cila iu drejtohet të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë së tyre etnike.

“Retorika dhe mënyra e tillë e sjelljes jo vetëm që nuk sjellë të mira, por përkundrazi, vetëm e ashpërson situatën në shtet. Ne do të përgjigjemi në mënyrë adekuate, sepse, kaluan kohërat kur BDI do të ndjehet në mënyrë të rehatshme dhe romantike në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Mickoski.

Ai tha se VMRO-DPMNE është fituese e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare së bashku me Koalicionin “Për ripërtëritje të Maqedonisë, duke përsëritur se të gjithë qytetarët janë të mërzitur të ndjehen si qytetarë të rendit të dytë.

Lidhur me incidentin në dyqanin familjar të nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, ai tha dje se ka biseduar me Misajllovskin dhe i di detajet.

Zëdhënësi i LSDM-së Kostadin Kostadinov tha se LSDM-ja dhe ai personalisht e dënojnë ngjarjen dhe u bëjnë thirrje institucioneve kompetente deri në fund ta hetojnë ngjarjen me hedhjen e mjetit shpërthyes ndaj objektit të Vllado Misjalovskit, zëvendëskryetar i VMRO-DPMNE-së, dhe bartës i listës dhe ta zbulojnë kryerësin.

“Më i thirruri në këtë rast është Naqe Çulev, ministri i Punëve të Brendshme, të cilin ne kemi mundësinë si qytetarë të shohim se çfarë është në të vërtetë dhe si e keqpërdor Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sigurisht, ne kemi pasur mundësinë të shohim se si ai xhiron video për qëllime partie, në vend që të kujdeset dhe të merret me atë që do të thotë të jesh ministër i Punë të Brendshme”, tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, duke iu përgjigjur pyetjes të gazetarëve në konferencën e sotme për media në Strumicë.

Shtoi se në mënyrë shtesë dëshiron të përgjigjet, siç tha në një lajm të rremë nga kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, i cili seriozisht e akuzon LSDM-në për ngjarjen në objektin e Misajllovskit.

Sekretari organizativ i BDI-së, Artan Grubi në konferencën e djeshme për shtyp tha se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fushatën zgjedhore do ta nis me konventën promovuese të kandidatëve për deputet në Prespë e cila do të mbahet ditën e mërkurë me fillim në ora 13:00 në të hapur, ndërsa do ta përfundon në Ohër gjithashtu me tubim në të hapur.

“Arsyeja pas kësaj përzgjedhjeje qëndron në përbetim e BDI që do të jetë dalzotës i Marrëveshjes së Ohrit, asaj të Prespës dhe të fqinjësisë së mirë pasi që këto dokumente dhe procese janë themeli i shtetit tonë të përbashkët dhe i përcaktimit tonë euroatlantik. Kjo është edhe agjenda bazë e kryeministrit të parë shqiptar, integrim të plotë në Bashkimin Europian dhe barazi e plotë në të gjitha fushat: ekonomi, drejtësi, vende pune, cilësi e jetës, etj”, tha Grubi.

Ai shtoi se kjo fushatë nuk do të jetë e zakonshme, por do të jetë një lëvizje për kryeministrin e parë shqiptar, prandaj organizata jonë do të shërbejë si platformë dhe fton të gjithë qytetarët shqiptar dhe të tjerë që ti bashkëngjiten lëvizjes dhe ta përkrahin atë me ide dhe kontribut. fab/

Të fundit