21/05/2022
14.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sa rrezikon Ballkani nga skenarët rusë?

A rrezikohet Ballkani nga ndonjë skenar i mundshëm rus? Është pyetje e përditshme që parashtrohet që nga dita e invazionit të Rusisë në Ukrainë. Pyetje që imponohet jo vetëm nga zhvillimet politike, por edhe nga retorika e Moskës dhe Beogradit. Rusia tenton ta përfshijë Ballkanin në luftën në Ukrainë, shkruan Zhurnal.

“Ne kemi vërejtur gjithnjë e më shpesh paraqitjen e mercenarëve nga vendet e treta, duke përfshirë nga Shqipëria dhe Kroacia, luftëtarë kosovarë, madje edhe xhihadistë me përvojë në luftimet në Siri”, shprehet presidenti i Konfederatës Ruse Putin.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Olta Xhaçka, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka. Ajo ka akuzuar Putinin për shpërndarjen e lajmeve të rreme.

“Kjo është një gënjeshtër që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp!”, shkruan ministrja. “Thënë kështu, Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës”, mbyll statusin e saj ministrja Xhaçka.

Për Beogradin, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përbënte kërcënim serioz për sigurinë e Serbisë. Këtë e ka kumtuar sot vet MPB i Serbisë, Aleksandar Vulin.

“Pres që në periudhën e ardhshme të ketë disa kurthe për Serbinë. E patë që shqiptarët aplikuan për anëtarësim në NATO, e patë që morën mbështetjen e një forcë si Turqia”, kishte pohuar edhe vet presidenti serb Vuçiç.

Kur dëgjon retorikën e mësipërme bëhet gjithçka e qartë. Kur kujton shpalljet e diplomatëve rus në Ballkan, në Mal të Zi a Maqedoni të Veriut, si dhe përfshirjen e agjentit serb në ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, dilemat fshihen.

Gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Seladin Xhezairi është prononcuar për deklaratat plot akuza që vijnë në adresë të shqiptarëve.

“Minsitri Vulin është ideator i të ashtuquajturës botë serbe, konform kësaj dihen qendrimet e tij dhe Vuçiçit kur bëhet fjala për Kosovën por pse jo dhe për Maqedoninë e Veriut, por pa përjashtuar Bosnjën apo Malin e Zi, ku jo më larg se sot është shpallur një zyrtar rus si person non-grata. Kjo flet se Serbia me manovrimin e bërë së fundmi ku dënoi ndërhyrjen ruse në Ukrainë, bëri publikisht të ditur gjithashtu edhe se nuk u bashkohet sanskioneve, të gjithë këto skenar i bëjënë aktual. Por kujtoj se prania e KFOR dhe perëndimit në Kosovë, Maqedonia anëtare e NATOS, Shqipëria dhe Mali i Zi po ashtu duket se këtë radhë e ngushtojnë hapësirën e agresivitetit serb”, tha Xhezairi.

Intrgrimi i Ballkanit Perëndimor si mburojë

Dashakeqësinë ndaj Ballkanit të Putinit e ka vërejtur edhe sociologu gjerman Xherald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilizim. “Moska për momentin është e interesuar për destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Putin është nën presion nga sanksionet dhe ndihma evropianë për Ukrainën dhe kërkon hapësirë për kundërsulm”, ka pohuar Knaus, përcjell Zhurnal.

Ai ka kujtuar se BE nuk duhet të përsëritë gabimin si në Ukrainë dhe duhet t’i japë perspektivë reale vendeve të Ballkanit Perëndimor për hyrje në BE.

Në këtë linj, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se Ballkani Perëndimor është pikë e dobët e Bashkimit Evropian dhe e Evropës në përgjithësi. Sipas tij, hapësirat e hapura në këtë rajon duhet të bëjnë që BE-ja të jetë më proaktive dhe të kthejë dinamikën më pozitive e bashkë me të edhe NATO-ja të jetë më e vëmendshme, pasi që Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Në ditën kur u mbajt takimi i ministrave të NATO-s për situatën në Ukrainë, Osmani ka thënë se kjo organizatë pret që lufta të eskalojë edhe më shumë.

Se a mundet që kriza të depërtojë edhe në Ballkan, Osmani ka thënë se ky rajon është pikë e dobët e Evropës. Ai me këtë rast ka bërë thirrje për pranim të më shumë shteteve të rajonit në NATO, përfshirë Kosovën.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar ka folur për rreziqet që i kanosen rajonit prej këtij konflikti, të cilat nuk i sheh si të vogla.

“Ka shumë punë për t’u bërë në Ballkanin Perëndimor. Punë për të integruar rajonin ekonomikisht. Punë për të gjetur kompromisin e duhur dhe të qëndrueshëm, mbi konfliktet që ekzistojnë”. Sipas Escobar, gjeneratat e ardhshme nuk duhet të lejohet të kenë këtë ndasi. Ndaj, integrimi i plotë i rajonit është me shumë rëndësi për të pasur një Evropë të plotë, të lirë dhe të paqtë.

Të fundit