Maksimiljana Barançiq – një ruajtëse dhe promovuese e shquar e të folmes arbëneshe, ishte e pranishme në Turneun Mbarëkombëtar të Futbollit për Fëmijë “Durrësi 2026” ku për herë të parë morën pjesë edhe Arbëreshët e Zarës.
Pasioni i saj për ruajtjen e kësaj të folmeje, siç thekson vetë ajo, është i rrënjosur thellë në krenarinë për paraardhësit e saj.
Në vitin 2015 nisi kurse dhe ligjërata falas për të folmen arbëneshe, fillimisht në Bibliotekën e Qytetit të Zarës (dega Arbanasi), ndërsa nga tetori i vitit 2016 ato vazhduan në hapësirat e Shoqatës Kulturo-Artistike “Vicko Zmajeviq” në Zarë të Kroacisë.
Në një prononcim ekskluziv për Tv Koha, bisedën e zhvilloi në të folmen arbëreshe.
MAKSIMILIANA BARANÇIQ – Arbëreshe e Zarës
“Mu kand se më keni thirrë me thanë nja dy-tri fjalë që e kam bërë fjalorin, para e kam shkruar një libër, më ka ra ndërmend me shkruar librin, para e kam shkruar fjalorin kroatisht-arbënisht me gramatik, e mbasandaj arbënisht-kroatisht me gramatik. Përse? Sepse si jam unë arbënesh në Zarë, e kena ardhë 300 vjet para prej Shkodre, unë denjësh, kjo e jona gjuhë, mos mu harrua, sepse nuk ka shkruar askush asgjë, e gjuha pak nga pak ka zan mu harrua. Unë tash kam 12 vjet që kam kursin për guhën arbëneshe, e më ka ra ndër mend me shkrua librin, ashtu e kam shkruar këta dy fjalor e brenda është gramatika gjithë bashkë, ashtu kush do mësua guhën jonë, munjet nek do, e une gjithë përvjet, gjith jetën, njiherë në javë kam kursin, para e kam pat me fëmijë, e tash më vin persona çish kanë harruar apo dojnë me dit pak ma mirë. Ka shumë fjalë brenda, e fjalët janë si na folna në shpi, terminologia nuk është si msonjësh tash në Shqipëri, jan si kena fol 300 vjet para”
Kjo ruajtëse e gjuhës dhe traditës arbëreshe nisi edhe kursin pa pagesë të gjuhës arbëreshe. Në fillim kishte rreth 150 njerëz që dinin të flisnin, disa e kishin harruar kurse të tjerët donin që sërish ta mësonin.
MAKSIMILIANA BARANÇIQ – Arbëreshe e Zarës
“Unë denjësh me ju than se para ko ken shum, pas 12 vjet këta fëmijë që kanë pat 7, 8, 9 vjet, tash kanë 20, e nuk e kanë ma interesin, tash më vinë këta çish i kan 40-50 vjet, e mua më kandet përse gjuha nuk kam harruar e dikush do mësuar. Ashtu si thash në vjeshtë më kanë thanë se kanë me ardhë shumë fëmijë, ato më shumë më kanden, se sa njerëz që kanë 50-60 vjet, se ne arbënisht çish i kena 70 vjet e 80 vjet, ne folmi gjuhën arbënesht, e unë boj gjithë që gjuha mos mu harua”
Neve shqiptarëve të Maqedonisë nuk na kupton mirë, por mesazhi i saj është që ta ruajmë me këmbëngulje gjuhën shqipe.
MAKSIMILIANA BARANÇIQ – Arbëreshe e Zarës
“Këta të Maqedonisë unë nuk mundem mjaft me ju kuptua, sepse asht gjuha gegë, por u them se asht bukur me ruajt gjuhën e vete, sepse asht identitet, unë me iu than që jam krenar me origjinën tem. Falemindert juve.”
Maksimiljana Barançiq thotë se dyndja e parë e Arbëreshëve të Zarës ka ndodhur në vitin 1726 kurse dyndja e dytë më 1733.
Këtë vit duhet të kremtohet 300 vjetori i ardhjes së pasardhësve të saj nga rajoni i Liqenit të Shkodrës./Tv Koha/







