Të tjera lajme

7 MARSI – GJURMË MËSUESIE NË SHESHIN E TETOVËS!

7 Marsi – Dita e Arsimit, e gjeti Tetovën me mot me diell. Shumë qytetarë duke shfrytëzuar motin e mirë kishin dalë në Sheshin e Qytetit, për të kuvenduar me miq e shokë dhe mbase për të pritur edhe Iftarin në këtë ditë Ramazani.

Televizioni Koha, në këtë ditë të shënuar për arsimin shqip, I pyeti qytetarët për rolin e arsimdashësve në edukimin e brezave.

Shumë prej tyre kujtonin mësuesin e tyre të parë.

“Mësuesi im i parë ka qenë Behluli, mbiemrin ia kam harruar. Me duket Behlul Beqiri, me të vërtetë ndjej kënaqësi kur e takoj se ende është gjallë. Atëherë ishte i moshës 20-vjecare.

“Enver, është i ndjerë. Kam qenë në klasë të parë në fshatin Bozovcë”

“E kujtojmë dhe duhet ta kujtojmë sa jemi gjallë si mësuesin e parë në fshatin Llacë”

“Mësuesin e parë e kujtoj për shkak se ai ka qenë djali i Zendel Radushës prej Radushe dhe vinte me biçikletë prej Radushe deri në fshatin Cerovë. Unë kam qenë atëherë 7 vjec në fshat. Mësuesi I mirë shumë. Vetëm se në atë kohë na I tërhiqnin nga pak zylyfet”

Por, mbretëron një përshtypje e përgjithshme, se sot shumë pak vlerësohen punëtorët e arsimit. Ndër shkaqet përmenden edhe pagat e ulëta për mësimdhënësit.

“Tash shumë pak. Përndryshe edhe unë jam në arsim, profesor i matematikës, kohëve të fundit shumë pak vlerësohen punëtorët e arsimit”

“Jo si më përpara. Autoriteti i mësueve është ulur shumë poshtë. Rrogat e ulëta dhe nxënësit kur e kryejnë shkollën e mesme nuk e vazhdojnë shkollimin. Rrogat e dobëta, kurse mësuesi është ai që jep dije, por po e them prap autoriteti i mësuesit është ulur shumë poshtë” 

“Jo, sot mësuesi nuk vlerësohet. Më parë kishin vlerësim edhe mësuesit edhe nxënësit, ndërsa sot – jo. I shoh nxënësit nuk dijnë edhe të shkruajnë, flas për familjen time. Nuk interesohet mësuesi pse ndodh kështu, por edhe prindërit nuk interesohen”

Qytetarët për Tv Koha shprehen se aktualisht ka rënë edhe cilësia e arsimit, megjithatë shprehen njëzëri se mësuesit duhet ta kenë vendin e duhur në shoqëri.

“Tash Gjimnazi nuk është sikurse ka qenë në një kohë shkolla fillore. Unë shoh shumë nxënës shkojnë në shkollë por s`dijnë asgjë”

“Mësuesi ta ka dhënë këtë. Po të mos ishin mësuesit edhe ne nuk do të dinim se cfarë të folim”

 “Dikush i vlerëson mirë, dikush nuk i vlerëson”

 “Shumë pak. Mësuesit janë kryesorët. Ata janë prej fillimit dhe varet se në cfarë rruge I drejton. Kryesorja është që mësuesit duhet të vlerësohen”

Zakonisht për 7 Mars shumë institucione organizojnë takime me veteranë të arsimit duke u shprehur mirënjohje mësuesve për misionin e tyre të shenjtë për arsimimin dhe edukimin e brezave. Nuk mungojnë as edhe urimet nga krerët e shtetit apo të partive politike. Por, mësuesit dhe arsimtarët, mbase do të dëshironin pak më tepër respekt dhe nder për punën e tyre, vlerësim të cilin fatkeqësisht, nuk e kanë në nivelin e duhur, si nga institucionet, poashtu edhe nga shoqëria dhe nxënësit.

Të fundit