Nxënësit e shkollave të mesme, studentët, por edhe të rinjtë vazhdojnë të kenë dilema nëse për karrierën e tyre Maqedonia e Veriut ofron kushte të volitshme.
Gjatë aktivitetit UNIART në Universitetin e Evropës Juglindore, Tv Koha, pyeti të rinjtë se çfarë ju pengon më së shumti në Maqedoninë e Veriut. Përgjigjet e tyre lënë shumë për të dëshiruar.
“Në Maqedoni ne që jetojmë veçanërisht ne shqiptarët kemi pengesa të shumta në zhvillimin tonë për arsim. Kemi shumë pak përkrahje nga shteti”
“Në Maqedoni nuk ka shumë mundësi për zhvillimin e karrierës sonë, mirëpo UEJL na ofron këtë mundësi sepse kemi bashkëpunime brenda dhe jashtë vendit”
“Mua personalisht më pengon padrejtësia që bëhet, ne po përpiqemi që ta ndryshojmë këtë. Në këtë vend mund të mbajmë aktivitete të ndryshme dhe të përpiqemi që të ndryshojmë mentalitetin e popullatës”
“Më pengon padresjtësia që po bëhet, veçanërisht nëpër shkollat e mesme dhe me pranimet e nxënësve në shkollimin e lartë. Kjo duhet të ndryshohet dhe mendoj se kjo është arsyeja që shumë nxënës të mirë që kemi, me ide të mira, është arsyeja që largohen nga vendi”
Perspektiva e tyre mbetet pezull midis qëndrimit në Maqedoninë e Veriut dhe largimit për në vendet perëndimore. Kanë mendime të ndara në këtë çështje, por duket se dominon kërkesa për një jetë më të mirë dhe me më shumë kushte avancimi.
“Më shumë ne të rinjtë e preferojmë që të studiojmë jashtë. Perspektiva jonë është që të dalim jashtë shtetit”
“Personalisht perspektivën time e shoh brenda vendit, sepse sa do ne që të mundohemi e të themi se jashtë vendit kemi mundësi më të mira, përsëri në vendin tonë mund të japim kontribut më të madh”
“Perspektiva ime është në këtë vend, për shkak se unë shoh që mund të ketë ndryshime dhe për këtë shkak unë do të kontribuoj dhe do ta jap maksimumin për ndryshime”
“Personalisht, nëse plotësohen dëshirat e mia, perspektiva do të doja të ishte në vend, mirëpo për shkak se shoh shumë kushte të parealizuara për karrierën time të ardhshme, me shumë mundësi jashtë vendit”
“Largimi i trurit” që moti nuk është vetëm statistikë – është një realitet që për çdo ditë po zbraz vendin dhe rajonin. Derisa me mijëra të rinj largohen në kërkim të kushteve më të mira të jetës dhe punës, vendet përballen me dilemën nëse kjo mund të shndërrohet në proces të dyanshëm në vend të rrugës “qorre”.
Por, shifrat japin sinjale alarmuese! Sipas një ankete të Barometrit Ballkanik, që zbatohet për çdo vit, 68% e të rinjve nga vendet e rajonit të Ballkanit duan që të largohen, kurse vetëm 29% dëshirojnë të mbeten./Tv Koha/







