Të tjera lajme

MAGJIA E KF SHKËNDIJA: KUR KREATIVITETI KTHEHET NË NDJENJË!

Nëse hyni në faqen zyrtare të KF Shkëndija në Facebook, do të gjeni një laramani informacionesh lidhur me aktivitetet sportive të klubit, trajnimet, ndeshjet, press-konferenca dhe të ngjashme.

Por, ekipi që qëndron pas publikimeve në rrjetet sociale, ka ngritur nivelin e postimeve dhe ka vënë në plan të parë kreativitetin.

Në këtë faqe gjeni lloj-lloj postimesh, reels-a, video të shkurtëra, fotografi, por edhe shumë kreativitet me imagjinatë të theksuar.

Por, kush qëndron pas këtij kreativiteti?

I ftuar në emisionin “Pas Dite” në Tv Koha, Fadil Jonuzi, thotë se e gjithë kjo punë ka një strukturë dhe një ekip që punon pandërprerë.

FADIL JONUZI – Mediat sociale KF Shkëndija

“Ka strukturë. Duhet t`i bësh detyrat e shtëpisë. Ka postime informative, në faqen zyrtare dhe rrjetet sociale, por ka edhe emocionale, të momentit, që ndoshta ndonjëherë nuk i kapi unë, i kapin të tjerët për t`i postuar. Nëse këtë e bëjmë, më pas ide ka plot, vetëm se duhet ta gjesh momentin e mirë”

Fadil Jonuzi thotë se mundohen që t`i ndjekin trended botërore. Ndonjëherë ide japin edhe vet futbollistët, ndonjëherë marrin shembuj edhe nga klubet e mëdha të botës.

“Është si bashkëpunim midis nesh. Ndonjëherë edhe lojtarët të japin ndonjë ide. E ka pa ndonjë klub apo dikundi dhe tani është koha e trendeve, jashtëzakonisht e kam ndjekur, ka patur trende interesante, jo vetëm klubet por edhe Instagrami vet jep formate cfarë duhet. Viti 2025/2026 ka qenë vit i trendeve. Kur i ndjek trended, e bën punën tepër mirë” 

Në faqet nëpër rrjetet sociale nga KF Shkëndija nuk harrojnë edhe Ditët Botërore apo festat fetare e shumë postime tjera që bëhen, me qëllim që tifozët dhe dashamirët e Shkëndisë të jenë sa më të informuar por njëkohësisht edhe të frymëzuar.

Mbase për shkak se Shkëndija nuk është vetëm një klub I zemrës. Është frymëzimi për gjithçka, është ndjenja e krenarisë që secili shqiptar e bart me vete.

Të gjithë këtë mozaik, djemtë që qëndrojnë pas rrjeteve sociale e kanë ngritur në një nivel të lartë dhe me standarde botërore.

Neve na mbetet vetëm t`i shijojmë këto informacione e frymëzime./Tv Koha/

Të fundit