Kauza e studentëve shqiptarë nuk është më e kufizuar vetëm te një provim. Organizatorët e protestës bënë të ditur se kërkesa e tyre kryesore tashmë është zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, siç edhe e parasheh ligji aktual për përdorimin e gjuhëve.
Organizatori Mevlan Ademi theksoi se çdo tentim për ligje të reja apo komisione që nuk harmonizohen me ligjin aktual për gjuhët, e dërgon procesin prapa.
Sipas tij, institucionet duhet vetëm të bazohen në kornizën ligjore ekzistuese.
Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje institucionale kanë nisur menjëherë. Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami nga koalicioni VLEN u takuan dje me kryeministrin Hristijan Mickoski, ku arritën një dakordësim që çështja e gjuhës shqipe të rregullohet brenda një afati prej tre muajsh.
Ky premtim përfshin jo vetëm jurisprudencën, por edhe provimet e tjera profesionale dhe licencat.
Megjithatë, mbështetja e pushtetit vjen me një paralajmërim të qartë. Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka deklaruar se studentët do ta kenë përkrahjen e tyre vetëm nëse kërkesat mbeten te çështjet studentore. Nëse ata synojnë kërkesa më të gjera politike për gjuhën, sipas Azizit, studentët duhet të anëtarësohen në një parti politike ose të krijojnë një të tillë.
Në taborin tjetër, reagimet kanë qenë të ashpra:
BDI kërkon përgjegjësi nga Astrit Iseni për, siç thonë, maltretimin skandaloz te studentëve nga Shqipëria
“Zëvendës ministri pa legjitimitet etnik në Ministrinë e Brendshme, Astrit Iseni, maltretoi studentët nga Shqipëria duke i endur rrugëve me shoqërim dhe izolim policor, vetëm e vetëm që të mos marrin pjesë në protestën studentore në Shkup. Mungesa e legjitimitetit kombëtar të bën shërbëtorë dhe Astrit Iseni shkëlqen në këtë rol. Vëllezër nga Shqipëria, të dashur studentë, ne ju kërkojmë falje për këtë turp të vazalëve si Astrit Iseni dhe VLEN. Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet mbarëvajtjen demokratike të protestës studentore dhe solidarizohet në tërësi me kërkesat rinore. Zgjidhja është vetëm një: ndaloni diskriminimin, respektoni dhe zbatoni ligjin për gjuhën shqipe. Asgjë tjetër” thonë nga BDI.
Lidhja Demokratike e Maqedonisë (LDM) e ka dënuar protestën, duke e cilësuar si një “abuzim politik” të BDI-së për të destabilizuar shtetin.
Ata i kërkuan Qeverisë të mos i nënshtrohet presionit dhe shantazhit të kërkesave që i konsiderojnë radikalem.
Stevçe Jakimovski nga GROM u shpreh i penguar nga, siç tha ai, “thirrjet për UÇK-në” gjatë protestës, duke vlerësuar se pas organizimit qëndron një agjendë e pastër partiake.
Arben Taravari nga opozita ka ironizuar premtimet e qeverisë, duke thënë se afatet si “së shpejti” po bëhen afate pa datë, ndërsa qytetarët meritojnë rezultate konkrete.
Pavarësisht presioneve dhe debateve, organizatorët e protestës u shprehën se mbështetja e madhe që kanë marrë nga shoqëria civile në rajon i motivon ata që të mos dorëzohen deri në përmbushjen e misionit të tyre, sidomos mbështetja nga Kosova e Shqipëria, sipas tyre, i ka bërë që të mos ndihen të vetëm në këtë betejë.
Situata mbetet e hapur, ndërsa vëmendja zhvendoset te hapat e radhës të ekzekutivit brenda afatit të premtuar tremujor, për zgjidhje të problemit me provimin e jurisprudencës./Tv Koha/







