Të tjera lajme

PRANVERA SJELL MË SHUMË TROTINETË E MOTOÇIKLETA, POLICIA PARALAJMËRON MASA!

Në zonat urbane në mbarë rajonin e SPB Tetovë vërehet një prani e shtuar e qytetarëve që ngasin trotinetë elektrikë, por edhe motoçikleta dhe katërçikleta. Me qëllim ngritjen e vetëdijes në trafik dhe mbrojtjen e të gjithë pjesëmarrësve, Sektori për Punë të Brendshme bën apel për respektim të rreptë të rregullave ligjore, duke kujtuar se drejtimi i këtyre mjeteve transportuese bart një përgjegjësi serioze.

Të dhënat statistikore tregojnë për një rrezik të vazhdueshëm në terren. Gjatë vitit të kaluar 2025, në rajonin e SPB Tetovë janë regjistruar gjithsej 37 aksidente trafiku me pjesëmarrje të trotinetëve elektrikë, prej të cilëve 14 në Tetovë (TE) dhe 23 në Gostivar (GV).

Se ky trend negativ po vazhdon e tregon edhe fakti që nga 1 janari deri më 17 maj të këtij viti tashmë janë regjistruar 9 aksidente të tilla trafiku, prej të cilëve 7 në rajonin e Tetovës dhe 2 në atë të Gostivarit. Këto shifra janë një sinjal i qartë për nevojën e një kujdesi më të madh dhe respektimit të rreptë të rregullave.

FATMIR REXHEPI – Zëdhënës i SPB-Tetovë

Por, jo vetëm trotinetët elektrik. Në rrugët e Tetovës, me ardhjen e pranverës, në sipërfaqe po dalin edhe motoçikleta dhe katërçikleta. Policia e Tetovës rikujton sanksionet në rast të shkeljeve në trafik.

FATMIR REXHEPI – Zëdhënës i SPB-Tetovë

Zëdhënësi i Policisë së Tetovës ka potencuar edhe një dukuri shqetësuese që kohëve të fundit po merr përmasa shqetësuese. Bëhet fjalë për zhurmën që shkaktojnë motoçikletat gjatë orëve të natës.

FATMIR REXHEPI – Zëdhënës i SPB-Tetovë

Sipas Ligjit për Siguri në Trafikun Rrugor, të drejtë për të drejtuar trotinet elektrik kanë personat që kanë mbushur 14 vjet.

Ata janë të detyruar të lëvizin në shtegun e biçikletave me shpejtësi deri në 25 kilometra në orë, ndërsa nëse nuk ka shteg të tillë, ekskluzivisht në trotuar me shpejtësi të ecjes së njeriut, përkatësisht deri në 6 kilometra në orë.

Zyrtarët policorë në periudhën e ardhshme do të zbatojnë kontrolle të përforcuara aksionale në terren me qëllim sanksionimin e shoferëve të pandërgjegjshëm.

SPB Tetovë edhe një herë u bën apel qytetarëve që të përshtatin shpejtësinë me kohë, të respektojnë këmbësorët dhe të jenë maksimalisht përgjegjës, sepse siguria në trafik varet nga secili individ./Tv Koha/

Të fundit