Të tjera lajme

FFM-ja PO PËRGATIT DËNIME RIGOROZE PËR SHKËNDINË!

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) doli me një komunikatë të ashpër pas ndeshjes finale të Kupës së Maqedonisë ndërmjet Sileksit dhe Shkëndijës. Komisioni Disiplinor ka hapur procedurë të gjerë kundër klubit tetovar, sic thuhet, për shkak të një sërë shkeljesh të rënda në tribuna dhe sjelljes skandaloze të lojtarëve dhe drejtuesve pas përfundimit të ndeshjes.

Komisioni Disiplinor i FFM-së, pas shqyrtimit të detajuar të raporteve zyrtare të delegatëve, konstatoi një listë të gjatë shkeljesh për të cilat Shkëndija përballet me sanksione rigoroze.

Procedura kundër Shkëndisë është ngritur për këto pika:

-Mosrespektimi dhe fishkëllimi i himnit kombëtar:

-Arsenal piroteknik: Përdorim i një sasie të madhe mjetesh piroteknike gjatë gjithë ndeshjes (janë evidentuar saktësisht 34 flakadanë të mëdhenj, 19 flakadanë të vegjël, 8 mjete shpërthyese dhe 14 flakadanë ndriçues).

-Thirrje nacionaliste dhe shfaqje flamujsh me përmbajtje fyese dhe të palejuar.

-Shfaqje e një flamuri me përmbajtje naziste, shkelje për të cilën klubi tetovar më parë ishte sanksionuar edhe nga UEFA.

-Thirrje fyese të drejtuara drejtpërdrejt ndaj drejtuesve të FFM-së.

– Refuzim i futbollistëve dhe zyrtarëve për të pranuar medaljet e argjendta, i shoqëruar me sjellje të pahijshme dhe degraduese gjatë ceremonisë.

Në komunikatën zyrtare, FFM drejtoi kritika të drejtpërdrejta dhe jashtëzakonisht të ashpra ndaj strukturave drejtuese të ekipit tetovar, duke theksuar se fuqia financiare nuk nënkupton edhe kulturë sportive.

FFM “Paratë dhe pasuria nuk nënkuptojnë posedim të kulturës sportive dhe asaj të përgjithshme. Është e papranueshme që strukturat drejtuese dhe individët, në vend që të kontribuojnë në uljen e tensioneve, të krijojnë atmosferë ndarjesh, provokimesh dhe kërkim të vazhdueshëm të alibive për dështimet, paaftësinë dhe padijen e tyre”, thuhet në reagimin e FFM-së.

Federata shton se me refuzimin për të pranuar medaljet është treguar përbuzje e drejtpërdrejtë ndaj institucionit, por edhe ndaj kundërshtarit Sileks, pasi ky veprim përfaqëson mosnjohje faktike të rezultatit sportiv të arritur. Komunikata e fundit e Shkëndijës u vlerësua si “fyerje për arsyen e shëndoshë dhe inteligjencën e opinionit sportiv”.

Kanë reaguar edhe nga Ministria e Sportit, duke I bërë thirrje FFM-së që ta ndryshojë Rregulloren.

Kjo Ministri po shqyrton mundësinë e ndryshimeve në Ligjin për Sport për të zgjeruar ingerencat që dukuritë e këtilla të sanksionohen.

Dënimet, sic thuhet në komunikatë, do të jenë në pjesën e marrjes së ndihmës shtetërore, kurse në instancë të fundit do të parashihet edhe procedura për marrjen e vendimit për veprimtarinë e sportit, me çka do të humbet e drejta e pjesëmarrjes në kampionatin vendor.

Komisioni Disiplinor i FFM-së nuk e anashkaloi as fituesin e ri të Kupës. Është ngritur procedurë disiplinore edhe kundër Sileksit, për shkak të thirrjeve nacionaliste të evidentuara nga grupet e tyre të tifozëve dhe përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë ndeshjes.    /Tv Koha/

Të fundit