“Çfarë qeverie të gjerë? Kush ka folur për qeveri dhe koalicion?”.
Kështu komentoi sot lideri i LSDM-së pasi në konferencën e tij të djeshme për shtyp e ftoi kryeministrin Hristijan Mickoski për marrje të përbashkët të përgjegjësisë për ndryshimet kushtetuese, gjë që nga disa media u interpretua si thirrje për një qeveri të gjerë.
“Qartë thashë – mbështetje për integrimet evropiane dhe reformat. Të hyjmë në koalicionin e tenderëve të Mickoskit? Nga i erdhi dikujt në mendje një ide e tillë? Reforma tani. Pakicat në Kushtetutë tani. Evropa tani”, shkroi Venko Filipçe në një postim në X.
Të mos e humbasim trenin e fundit për në BE – hajde bashkë ta ndajmë përgjegjësinë: pakicat në Kushtetutë. Kjo thirrje sot sërish u përsërit nga selia e LSDM-së.
BOGDANKA KUZESKA – LSDM
“Së bashku t’i votojmë ndryshimet kushtetuese. Jemi të gatshëm ta ndajmë plotësisht përgjegjësinë për këtë proces, ashtu siç e kanë bërë të gjitha partitë politike në shtetet që kanë negociuar me sukses dhe janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian.Identiteti, gjuha dhe kultura maqedonase janë të mbrojtura dhe në asnjë mënyrë nuk janë të rrezikuara. Ne negociojmë me BE-në e jo me Bullgarinë, pakicat janë çështje evropiane.”
Por, nga VMRO-DPMNE mendojnë ndryshe! A është Filipçe pjesë e misioneve bullgare në Shkup për të cilat flet ministrja bullgare Petrova Çamova? – pyesin nga partia në pushtet.
VALENTIN MANASIEVSKI – VMRO DPMNE
“Në vend që Filipçe të bëjë thirrje për bashkim për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim futjen e bullgarëve, të paktën një herë të dalë në anën e Maqedonisë, në anën maqedonase dhe t’i bashkohet VMRO-DPMNE-së në mbrojtje të interesave maqedonase.”
Filipçe dje i bëri thirrje Mickoskit që së bashku ta marrin dhe ta ndajnë përgjegjësinë për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, për rrjedhën e negociatave dhe për çdo sfidë të mundshme.
Deklarata e djeshme e Filipçes erdhi pasi kancelari gjerman Fridrih Merc në një letër drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian bëri thirrje për zgjidhje inovative për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, duke vendosur fokus të veçantë tek Ukraina, por edhe tek vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia.
Propozimi i Mercit dërgohet vetëm disa javë para Samitit të Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi, në fillim të qershorit./Tv Koha/







