Përdorimi i trotinetëve elektrikë nga fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 14-vjeçare vazhdon të mbetet një dukuri shqetësuese në komunikacion. Edhe pse legjislacioni në Maqedoninë e Veriut ndalon qartë përdorimin e trotinetëve elektrikë nga personat nën moshën 14-vjeçare, në praktikë shpesh mund të shihen fëmijë që lëvizin me këto mjete në rrugë, trotuare dhe hapësira publike, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Sipas rregullave ligjore, personat mbi moshën 14-vjeçare që përdorin trotinetë elektrikë duhet të respektojnë një sërë detyrimesh. Ata duhet të lëvizin në shtigjet e dedikuara për biçikleta dhe assesi në rrugët ku qarkullojnë automjetet. Gjithashtu, janë të obliguar të mbajnë helmetë mbrojtëse, si dhe mbrojtëse për bërrylat dhe gjunjët. Në rastet kur nuk ekziston shteg për biçikleta, përdoruesit duhet të lëvizin në trotuar, por me shpejtësi jo më të madhe se 6 kilometra në orë. Ndërkaq, në shtigjet për biçikleta shpejtësia maksimale e lejuar është 25 kilometra në orë.
Zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme të Tetovës, Fatmir Rexhepi, thekson se gjatë vitit të kaluar është regjistruar një numër i konsiderueshëm aksidentesh ku janë përfshirë trotinetët elektrikë. Sipas tij, për shkak të rrezikut në rritje, policia ka ashpërsuar kontrollet në terren dhe po ndërmerr masa më rigoroze ndaj shkelësve të rregullave.
FATMIR REXHEPI – Zëdhënës i SPB Tetovë
Ai u bën apel prindërve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos u blejnë trotinetë elektrikë fëmijëve të tyre nën moshën e lejuar. Sipas tij, trotineti elektrik nuk është lodër, por një mjet transporti që mund të arrijë shpejtësi të konsiderueshme dhe të shkaktojë pasoja serioze nëse nuk përdoret në mënyrë të përgjegjshme dhe në përputhje me rregullat e komunikacionit.
FATMIR REXHEPI – Zëdhënës i SPB Tetovë
Autoritetet apelojnë për respektim të ligjit dhe rritje të ndërgjegjësimit, me qëllim që të shmangen aksidentet dhe të mbrohet siguria e fëmijëve dhe e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.







