Kombëtarja e Shqipërisë është mposhtur me rezultat 0-1 nga Izraeli në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, në debutimin e trajnerit të ri italian, Rolando Maran në stolin kuqezi.Ndeshja tjetër miqësore luhet më 6 qershor kundër Luksemburgut
Kombëtarja shqiptare zhvilloi mbrëmë ndeshjen e parë miqësore të muajit qershor, duke u përballur me Izraelin në stadiumin “Air Albania”.
Pavarësisht paraqitjes pozitive dhe rasteve të krijuara gjatë takimit, kuqezinjtë u mposhtën minimalisht me rezultatin 0-1.
Kombëtarja gjatë 90 minutave lojë krijoi disa raste të cilat nuk u konkretizuan dhe si pasoj e gjithë këtyre dështimeve erdhi dënimi në minutën e 73-të nga futbollisti izraelit Gloukh, i cili finalizoi një kundërsulm të shpejtë të miqve.
Pas realizimit, futbollisti festoi pranë tribunave, duke shkaktuar reagime të menjëhershme në stadium. Kapiteni kuqezi Elseid Hysaj ndërhyri menjëherë dhe u përball me lojtarin izraelit, ndërsa situata u tensionua për disa çaste mes futbollistëve në fushë për çka arbitri ndëshkoi me kartonë të verdhë Hysajn dhe Gloukth.
Pavarësisht humbjes minimale, ndeshja i shërbeu stafit teknik për të testuar skuadrën dhe për të vlerësuar alternativat në prag të angazhimeve të ardhshme të Kombëtares.
Kuqezinjtë do të vijojnë përgatitjet për ndeshjen e dytë miqësore të këtij grumbullimi, ku do të përballen me Luksemburgun ditën e shtunë, më 6 qershor, në orën 20:00, në “Air Albania”.







