Të tjera lajme

ASH;Studentët kërkojnë të drejtën e tyre të garantuar me ligj dhe kushtetutë, jo interpretime politike dhe kompromise diskriminuese

Zëvendëskryeministri Bekim Sali dhe përfaqësuesit e VLEN-it e paraqitën publikisht çështjen e provimit të jurisprudencës si të zgjidhur. Tani, nga vetë deklaratat e tyre, del se nuk bëhet fjalë për zgjidhje të plotë, por për një model gjysmak, pjesa teorike në shqip, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht.

Kjo nuk është zbatim i së drejtës së studentëve e aq më pak zgjidhja që kërkohet. Është përpjekje për ta paraqitur si zgjidhje një përkufizim të ri.

Studentët shqiptarë nuk kërkojnë privilegj politik. Ata kërkojnë që provimin profesional ta japin në gjuhën në të cilën janë arsimuar, në gjuhën që Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve e njohin si gjuhë zyrtare. Nëse studimet juridike në vend zhvillohen edhe në gjuhën shqipe, shteti nuk mund t’i trajtojë studentët si të barabartë gjatë studimeve dhe si kandidatë të dorës së dytë në momentin e vlerësimit profesional.

Arsyetimi se lëndët praktike në gjykata janë në maqedonisht nuk mund të shërbejë si bazë për përjashtimin e shqipes nga pjesa praktike e provimit. Nëse institucionet kanë mundësi dhe detyrim të sigurojnë përkthim të programit, akteve, literaturës dhe pyetjeve, atëherë kanë detyrim të sigurojnë edhe vlerësim të barabartë në të gjitha pjesët e provimit. Problemi nuk zgjidhet duke e përkthyer vetëm teorinë dhe duke e lënë praktikën si filtër diskriminues.

Njohja e gjuhës maqedonase për ushtrimin e profesionit juridik nuk mund të përdoret si pretekst për t’ia mohuar studentit të drejtën që njohuritë profesionale t’i dëshmojë edhe në gjuhën shqipe. Provimi i jurisprudencës nuk është test gjuhe. Është provim profesional për dije juridike, aftësi analitike dhe zbatim të së drejtës.

Modeli që po përmendet nga Bekim Sali prodhon standard të dyfishtë. Kandidati shqiptar do të mësojë, studiojë dhe përgatitet në shqip, por në pjesën më të ndjeshme të provimit do të detyrohet të kalojë në gjuhë tjetër. Ky nuk është akses i barabartë në sistemin e drejtësisë, por pengesë e institucionalizuar në rrugën e juristëve shqiptarë.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë të mos fshihen pas formulimeve të paqarta, grupeve të punës dhe zgjidhjeve të pjesshme. Çështja është juridike dhe institucionale. Ajo duhet të rregullohet qartë në Ligjin për provimin e jurisprudencës, me dispozitë të veçantë që garanton dhënien e gjithë provimit, teorik dhe praktik, edhe në gjuhën shqipe.

Nuk ka nevojë për ligj të ri të veçantë. Mjafton të ndërhyhet në ligjin ekzistues, me nen eksplicit që garanton përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe mbyll çdo hapësirë për interpretime selektive.

Ministria e Drejtësisë duhet të përgatisë menjëherë ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme, Qeveria t’i miratojë si projektligj dhe Kuvendi t’i procedojë me prioritet. Çdo vonesë tjetër është shmangie nga përgjegjësia.

Studentët shqiptarë nuk kanë nevojë për premtime të riformuluara pas çdo presioni publik. Ata kanë nevojë për akt normativ, afat të qartë dhe zbatim të plotë.

Barazia nuk ndahet në teori dhe praktikë. Gjuha shqipe nuk mund të jetë e pranueshme vetëm aty ku pushteti e ka më lehtë, ndërsa të përjashtohet pikërisht aty ku studenti vlerësohet realisht.

 

 

Të fundit