Të tjera lajme

KUSHTRIM AHMETI: “DIJE, CILËSI DHE ZHVILLIM” – VIZIONI I RI PËR UT-në

Universiteti i Tetovës hap një kapitull të ri me rektorin e sapozgjedhur, Kushtrim Ahmeti. Me moton “Dije, Cilësi dhe Zhvillim”, gjatë një deklarate për Tv Koha, ai prezantoi platformën e tij trevjeçare, duke vënë theksin te përfshirja më e madhe e studentëve në vendimmarrje, avancimi i cilësisë në arsim dhe përballja me sfidat demografike që po prekin arsimin e lartë në vend.

Platforma e përgatitur nga Rektori i UT-së, Kushtrim Ahmeti, sipas tij, nuk është thjesht vetëm një dokument, por është një zotim para stafit akademik për punën në trivjeçarin e ardhshëm.

Gjatë një deklarate për Tv Koha ai thotë se fokusi do të jetë në 6 shtyllat, të cilat janë të ndërlidhura rreth një vizioni të vetëm që nënkupton se për UT-në nuk mjafton vetëm ajo mirëmbajtja institucionale por duhet të hapërojë drejt zhvillimit.

Dije të matshme dhe cilësore, ndryshimet në shoqëri, konkurrenca në arsimin e lartë si dhe kërcënimi nga faktori demografik janë sfidat gjatë mandatit të Rektorit Kushtrim Ahmeti, të përmbledhur në platformën me moton “Dije, cilësi dhe zhvillim”

KUSHTRIM AHMETI – Rektor i UT-së

“Pra, UT-ja deri tani ka bërë hapa gjigand por në bazë të disa analizave që I kemi, ballafaqohemi me disa faktorë, të cilat në njëfarë mënyre duhet t`u përballemi atyre. Janë ndryshimet e ndryshme që ndodhin në shoqëri, para së gjithash, konkurrenca me të cilën ballafaqohemi në arsimin e lartë, hapërimi shumë I fuqishëm I teknologjisë informative, të cilën poashtu do ta kemi parasysh dhe gjithsesi është kërcënimi nga faktori demografik, të ciën poashtu duhet ta potencojmë, sepse në bazë të informacioneve që i kemi këtë vit kemi 4.190 maturantë të cilët kanë aplikuar për maturën shtetërore dhe kur e marrim parasysh numrin e Universiteteve që ofrojnë studime në gjuhën shqipe në vendin tonë, do të thotë se ballfaqohemi me një mungesë serioze të studentëve tanë potencial”

Studentët duhet të jenë pjesë e komunitetit akademik – shprehet i prerë Rektori Kushtrim Ahmeti duke pohuar se në platformë ka paraparë që të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me studentët dhe standardin studentor nuk do të merren pa i konsultuar studentët. Pretendon që studentëve t`u jepet një fuqi më e madhe vendimarrëse në të gjitha organet e Universitetit.

KUSHTRIM AHMETI – Rektor i UT-së

“Dimensioni social në Universitet pikërisht e nënkupton këtë madje edhe në përpilimin e kurikulave dhe politikave universitare të jenë prezent ata. Në platformë e kam potencuar që edhe në hulumtimet shkencore edhe në idetë kreative në inkubimin e startapeve të ndryshme do t`i marrim parasysh sepse kreativiteti dhe idetë më të mira vijnë pikërisht nga studentët. Poashtu një pjesë e rëndësishme është përcjellja e studentëve që e kemi paraparë, pra krijimi i atij alumni – connect që në një farë mënyre nënkupton rrjetëzimin me studentët tanë të diplomuar, të cilët kudo që janë, të kemi një komunikim të vazhdueshëm, me qëllim që ata të sjellin përvojën dhe ekspertizën e tyre në Universitet”

Kushtrim Ahmeti fitoi garën për Rektor të Universitetit të Tetovës.

Sipas të dhënave, ai fitoi 197 vota, ose 59,46%, duke siguruar kështu fitoren, kundrejt dy kandidatëve tjerë, Fehari Ramadanit i cila ka patur 119 vota, ose 35,44% dhe Rektorit aktual, Jusuf Zejneli, i cili ka marrë 22 vota, ose 5%.

Të drejtë vote kanë pasur gjithsej 355 anëtarë të këshillave mësimor-shkencorë të fakulteteve.

Në procesin e votimit morën pjesë 343 votues, përkatësisht 96.62%./Tv Koha/ 

Të fundit