Të tjera lajme

Ambasada bullgare me apel drejtuar mediave dhe figurave publike në Maqedoninë e Veriut

Ambasada e Bullgarisë në Shkup reagoi pas paralajmërimeve për bllokadën e tre pikave kufitare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë nga fondacioni bullgar “Maqedonia”, duke bërë thirrje që të mos krijohen pengesa në komunikacion dhe të mos përdoren kualifikime që, sipas tyre, i thellojnë më tej ndarjet.

Në njoftim, Ambasada thekson se është joproduktive që organizatat bullgare të etiketohen si “antimaqedonase” për shkak të qëndrimeve të tyre mbi marrëdhëniet bilaterale dhe politikat e autoriteteve në Shkup.

“Pluralizmi është tipar karakteristik i demokracisë dhe manifestimi i tij nuk është i drejtuar kundër askujt, por ka për qëllim të hapë dialog ndërshoqëror si parakusht për një kuptim më të mirë”, thuhet nga Ambasada.

Njëkohësisht, nga misioni diplomatik bullgar mbështesin mundësinë për protestë qytetare paqësore, por apelojnë që të mos bllokohen pikat kufitare dhe rrugët mes dy shteteve.

Sipas tyre, interesi i Bullgarisë është i orientuar drejt thellimit të kontakteve mes qytetarëve, bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe lidhjeve kulturore mes dy vendeve fqinje.

Nga Ambasada vlerësojnë se shprehja e pakënaqësisë dhe shqetësimit në shoqërinë bullgare duhet të ketë karakter konstruktiv dhe evropian, me qëllim që të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.Zhurnal.mk .

Të fundit