Të tjera lajme

ZHVILLIMET E JAVËS PËRPLASIN BDI-në DHE VLEN-in!

Përplasjet midis BDI-së dhe VLEN-it janë transferuar edhe nëpër rrjetet sociale.

Gjatë së Premtes këto dy forca politike janë përplasur për ndodhitë që kanë ndodhur brenda kësaj jave.

Bujar Osmani nga BDI-ja, përmes një statusi në Facebook, përmend disa ngjarje, që sipas tij, kanë goditur shqiptarët në shtet.

-Gjykata Kushtetuese anuloi emërtimet shqiptare në Tetovë dhe riktheu emra si “Marshall Tito”.

-Në Parlament po shtyhet ligji që godet shtyllën kryesore të barazisë, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

-Barazia vazhdon të gërryhet në praktikë, nen pas neni, institucion pas institucioni.

-Parlamenti Europian paralajmëroi për depërtimin e ndikimit serb dhe rrezikun e shndërrimit të vendit në zgjatim të “Botës Serbe”.

-Parlamenti Europian kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në shkronjë dhe në frymë.

-Parlamenti Europian kërkoi që protestat studentore të mos etiketohen si destabilizuese apo të motivuara politikisht.

-Keqmenaxhim skandaloz i institucioneve qendrore dhe lokale, nga padija, pafuqia dhe kapja” – shkruan Bujar Osmani në FB.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga VLEN.

Ata bëjnë zhurmë e pluhur, ne bëjmë punë – shkruan po në Facebook, Adnan Azizi nga VLEN, duke përmendur zhvillimet e javës së fundit dhe sic thotë, derisa ata merren me propagandë, ne sjellim rezultate.

-Nënshkruam marrëveshjen për fillimin e ndërtimit të autostradës Shkup–Bllacë.

-Miratuam në Qeveri modelin One Stop Shop me Shqipërinë, pas suksesit të One Stop Shop me Kosovën.

-Sollëm investimin e parë të ri në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë pas 15 vitesh: 21 milionë euro investim dhe 500 vende të reja pune.

-Votuam në Parlament Statutin e Universitetit “Nënë Tereza”, duke e fuqizuar UNT-në me 3 fakultete të reja” – thotë Adnan Azizi nga VLEN.

Përplasjet në distancë janë ashpërsuar pasi Gjykata Kushtetuese pranoi iniciativën e Shoqatës së Luftëtarëve dhe shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007 për riemërtimin e një numri të madh rrugësh dhe të sheshit të Tetovës.

Ndërsa nga BDI këtë vendim e cilësuan si skandaloz dhe si goditje ndaj identitetit, nga pushteti lokal i udhëhequr nga VLEN akuzojnë se bëhet fjalë për një skenar mes BDI-së dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të defokusimit të opinionit publik.

Ata thonë se Komuna e Tetovës tashmë është duke punuar për një zgjidhje të re dhe në përputhje me ligjin.

Të fundit