Të tjera lajme

GJYKATA E TETOVËS: AKUZAT E LIRIDON DISHËS NDAJ BINAS PAJAZITIT – TË PAVËRTETA!

Drejtori i Bibliotekës së Tetovës ka bërë publike vendimin e Gjykatës themelore-Tetovë në lidhje me procesin gjyqësor të inicuar ndaj Liridon Disha për shpifje dhe akuza të pabaza.

Pajaziti përmes një shkrimi në Facebook shkruan se Gjykata konfirmoi se akuzat ishin të pavërteta, duke parashtruar pyetjen, se a mund të kompensohet me të vërtetë një reputacion i dëmtuar?

Gjykata Themelore -Tetovë ka konstatuar se ndaj, Binas Pajazitit, janë bërë publikisht deklarata të pavërteta nga Liridon Disha në konferencën për shtyp të mbajtur më 10 Tetor 2024, me ç’rast është akuzuar për keqpërdorim të mjeteve financiare, malverzime dhe veprimtari të paligjshme gjatë ushtrimit të funksionit drejtor i SHMKM “Nikolla Shtejn”-Tetovë.

Gjatë procedurës gjyqësore është vërtetuar se për këto akuza nuk ka ekzistuar asnjë provë dhe asnjë dokument relevant që do të mund të konfirmonte vërtetësinë e tyre.

Gjykata e Tetovës ka ngarkuar Liridon Dishën që të paguajë shumën prej 2.000 denarëve si dëm jomaterial, kurse shuma e kërkuar prej 180.000 denarëve është refuzuar si e pabazë.

Gjithashtu Liridon Disha duhet t`i paguajë harxhimet e procedurës në vlerë prej 28.380 denarë kurse shuma e kërkuar prej 74.600 është refuzuar si e pabazë.

Sic shkruan Binas Pajaziti në Facebook, akuzat e Liridon Dishës kanë cenuar rëndë nderin, dinjitetin dhe integritetin e tij personal e profesional, për cka ka inicuar procedurë në gjykatën më të lartë.

“Për këtë arsye kam ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, sepse konsideroj se dëmshpërblimi simbolik nuk përfaqëson një kompensim të drejtë për dëmin moral të konstatuar nga gjykata. Kur një person akuzohet publikisht pa asnjë provë dhe gjykata konstaton se këto pretendime janë të pavërteta, drejtësia nuk mund të reduktohet në një shumë simbolike” – shkruan Pajaziti.

Ndryshe më 10 Tetor 2024 gjatë një press-konference në oborrin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë, Liridon Disha kishte kërkuar shkarkimin e drejtorit të atëhershëm Binas Pajaziti, për shkak të, sic tha, parregullsive dhe malverzimeve të natyrave të ndryshme sikurse rinovimi I objektit, furnizimin me materiale, furnizimin me uniforma, me cka Shkolla e Mesme e Mjekësisë ka hyrë në borxhe prej 500.000 eurove, të cilët, sic tha atëherë Liridon Disha, Drejtori aktual i ka keqpërdorur.

Të fundit