Të tjera lajme

Me trotinet elektrik vetëm pas moshës 18-vjeçare, shpejtësia kufihohet në 20, u propozuan ndryshime ligjore

Trotinetët elektrik do të mund t’i drejtojnë vetëm personat mbi moshën 18-vjeçare, shpejtësia maksimale do të kufizohet në 20 kilometra në orë, ndërsa do të ashpërsohen edhe dënimet. Përveç gjobës, do të parashihet edhe konfiskimi i përkohshëm i trotinetit për një periudhë prej 30 ditësh.

Këto janë ndryshimet e reja në Ligjin për Sigurinë në Komunikacion, të propozuara nga shumica parlamentare, të cilat Kuvendi i ka vendosur në rend dite në seancën plenare.

Propozuesi i ndryshimeve VMRO-DPMNE-ja, potencoi se këto ndryshime po propozohen pasi analizat kanë treguar se gjatë dy viteve e gjysmë, në aksidente trafiku kanë qenë të përfshirë rreth 2.000 persona. Prej tyre, 46 kanë humbur jetën, ndërsa 556 kanë pësuar lëndime të rënda.

Sipas tij, për shkak të këtyre statistikave është e nevojshme një rregullim sistematik i mjeteve të lehta elektrike, përkatësisht i trotinetëve elektrikë.

Trotinetet elektrikë po kthehen në një rrezik serioz për shëndetin e fëmijëve në Tetovë. Brenda një jave, mesatarisht katër deri në pesë fëmijë përfundojnë me lëndime të rënda në Repartin e Ortopedisë, ku mjekët alarmojnë se këto thyerje mund të lënë pasoja të përhershme në rritjen e tyre.

Paralelisht, Sektori i Punëve të Brendshme ka ndërmarrë një aksion të gjerë duke ndëshkuar drejtuesit e papërgjegjshëm dhe duke konfiskuar mjete.

Bilanci total i aksioneve të fundit nga njësiti mobil kap shifrën e 71 masave të shqiptuara për kundërvajtje dhe vepra penale në trafik. Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet e rrepta do të jenë të vazhdueshme. Qëllimi është parandalimi i aksidenteve me pasoja fatale, përpara se trotinetet dhe motorët të marrin jetë njerëzish.

Të fundit