Të tjera lajme

RIFORMATIMI QEVERITAR: PRITEN ROTACIONE DHE NDRYSHIME TË MËDHA?!

VMRO-DPMNE dhe ZNAM, edhe pas bisedimeve intensive të zhvilluara mbrëmë, nuk kanë arritur marrëveshje se cilët funksionarë do të përfshihen në rikonstruktimin qeveritar dhe në cilat resore.

Gjatë fundjavës pritet të zhvillohet edhe një raund tjetër bisedimesh, pas të cilit, me shumë gjasa në fillim të javës së ardhshme, procesi do të përmbyllet si propozim formal që kryeministri Hristijan Mickoski do ta dorëzojë në Kuvend.

Sot edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, konfirmoi se ende nuk ka mbërritur ndonjë propozim nga Qeveria dhe se, sapo të dorëzohet, ai do të procedohet.

Nga informatat jozyrtare rezulton se VMRO-DPMNE do të marrë me siguri Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës Sociale dhe Demografisë, si dhe resorin e Eurointegrimeve, ndërsa VLEN në këmbim do të marrë Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Sportit dhe Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Megjithatë, për resorin e Drejtësisë ende nuk janë sqaruar plotësisht dilemat se kush do ta drejtojë atë.

Në këtë konfigurim politik, oferta që thuhet se Mickoski ia ka bërë Maksim Dimitrievskit është që, në vend të Ministrisë së Drejtësisë, të propozojë një kuadër për Ministrinë e Bujqësisë, prej nga ministri aktual Cvetan Tripunovski pritet të largohet për arsye private.

Nga ZNAM kanë kërkuar vlerësim të punës së të gjithë ministrave dhe jo vetëm të disa prej tyre, emrat e të cilëve prej kohësh përmenden në opinion si kandidatë për shkarkim. Njëri prej tyre është ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, për të cilin në parti vlerësojnë se ka realizuar më shumë punë sesa paraqitet në publik.

Përveç këtyre ndryshimeve, posti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, i mbetur vakant pas dorëheqjes së Arben Fetait, kalon në duart e VMRO-DPMNE-së. Në këtë parti mbetet edhe posti i zëvendëskryeministrit për sistem politik që e ushtron Lupço Dimovski, si dhe posti i ministrit pa resor që aktualisht e mban Shaban Saliu.

Sipas informacioneve të deritanishme, përveç Fatmir Limanit, Arben Fetait dhe me shumë gjasë, Igor Filkovit, nga Qeveria do të largohen edhe Borko Ristovski, Zoran Ljutkov dhe pothuajse me siguri Azir Aliu. Ndërkohë, Bekim Sali pritet të të marrë një resor tjetër në vend të Eurointegrimeve.

Mbetet enigmë nëse Ivan Stoilkoviq do të marrë një ofertë të re në vend të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive apo nëse edhe atij Mickoski do t’i falënderohet për bashkëpunimin.

Nëse të gjitha këto informacione konfirmohen, rikonstruktimi do të përfshijë të paktën 7-8 resore dhe edhe më shumë emra ministrash që do të thotë se riformatimi qeveritar do të përfshijë 1/3 e anëtarëve. Në këtë rast, për propozimin e këtillë që pritet të mbërrijë në Kuvend kah mesi I javës së ardhshme, do të votohej sikurse për përbërje të re të Qeverisë.

Të fundit