Të tjera lajme

DOBËSOHET MOTI JOSTABIL – VAZHDON VAPA TROPIKALE!

Moti jostabil dhe aktiviteti ciklonik me qendër mbi Turqi, që përfshiu territorin e Maqedonisë gjatë dy ditëve të fundit dhe lokalisht solli mot të lig, gradualisht po dobësohet kurse paqëndrueshmëria atmosferike po zvogëlohet.

Megjithatë, edhe të enjten dhe të premten, në orët e pasdites do të zhvillohen bërthama lokale konvektive me stuhi, të cilat, lokalisht, pritet të sjellin reshje të shkurtra shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.

Moti do të mbetet i ngrohtë, me temperatura që do të lëvizin nga 27 deri në 36 gradë Celsius.

Gjatë pasdites dhe mbrëmjes së djeshme, në shumë vende të Maqedonisë u zhvilluan bërthama konvektive me stuhi, të cilat sollën reshje intensive shiu, bubullima dhe erë të fuqishme.

Pamjet e publikuara nëpër rrjetet sociale tregojnë stuhi shiu dhe breshëri në disa zona të vendit.

Për shkak të energjisë së madhe në atmosferë, lokalisht pati procese intensive atmosferike dhe mot të lig të shoqëruar me reshje të dendura shiu, erë të fortë, shkarkime të shpeshta elektrike dhe paraqitje lokale të breshrit.

Sipas metereologëve, Vera e vitit 2026 do të jetë dukshëm më e ngrohtë në Maqedoni, rreth 2 gradë mbi mesataren shumëvjeçare. Gjatë kësaj vere do të jemi dëshmitarë të valëve të shpeshta dhe ekstreme të nxehtësisë nga Afrika, të cilat do të shkaktojnë temperatura shumë të larta të ajrit, që në shumicën e rasteve do të kalojnë 35 gradë Celsius.

Ndryshe, më 24 korrik 2007 në Maqedoni u regjistrua temperatura më e lartë që nga fillimi i matjeve meteorologjike. Rekordi u shënua në Demir Kapi, ku u matën 45.7 gradë Celsius.

Duhet theksuar se nuk ka vend për panik, pasi nuk bëhet fjalë për një fenomen të pazakontë për stinën e verës. Temperaturat shumë të larta gjatë verës janë një dukuri normale në Maqedoni, kanë ndodhur edhe në të kaluarën dhe do të vazhdojnë të ndodhin edhe në të ardhmen./Tv Koha/

Të fundit