Të tjera lajme

ZJARRFIKËSIT ME THIRRJE: KUJDES NGA ZJARRET – PASTRONI BARIN E THATË DHE SHKURRET!

Komuna e Tetovës ka shpërndarë një thirrje të Njësisë së Zjarrfikësve të Tetovës, ku u bëhet thirrje qytetarëve, pronarë të objekteve industriale, afaristëve, depove dhe fabrikave, që për shkak të temperaturave të larta, motit të thatë dhe rritjes së rrezikut nga zjarret gjatë periudhës verore, që të ndërmarrin masa parandaluese për mbrojtjen e pronës dhe sigurinë e punonjësve.

Bëhet thirrje që të kositet dhe pastrohet bari i thatë dhe shkurret përreth objekteve, Të largohen mbeturinat dhe materialet e ndezshme nga afërsia e ndërtesave, Të sigurohen që rrugët e qasjes për automjetet e zjarrfikësve të jenë të lira dhe të kalueshme, Të kontrollohen funksionaliteti i pajisjeve për mbrojtje nga zjarri dhe të respektohen të gjitha masat e sigurisë.

Bari i thatë dhe vegjetacioni i pa kositur mund të marrin flakë brenda pak minutash, duke rrezikuar objektet, makineritë, mallrat dhe jetën e njerëzve.

Parandalimi është mbrojtja më e mirë. Me një veprim të thjeshtë sot, mund të shmangim pasoja të mëdha nesër.

Bashkëpunimi juaj është i domosdoshëm për një verë më të sigurt për të gjithë, thuhet në thirrjen e zjarrfikësve të Tetovës të shpërndarë edhe nga Komuna e Tetovës.

Kur jemi te zjarret në ambiente të hapura, një njoftim vjen edhe nga Njësia e Zjarrfikësve në Bogovinë – Vrapçisht.

Nga ky njësi njoftojnë se, pas një operacioni me mjaft vështirësi dhe rreziqe, Ekipi i Zjarrfikësve arriti të vërë nën kontroll një vatër zjarri që kërcënonte të digjte sipërfaqe të tëra me grurë. Edhe pse situata ishte alarmante, vendosmëria dhe reagimi i shpejtë i ekipit bëri që flakët të ndaloheshin në kohë, pa shkaktuar dëme në të mbjella. Falënderojmë zjarrfikësit tanë për këtë ndërhyrje të suksesshme në mbrojtje të qytetarëve! –thuhet në njoftimin e zjarrfikësve të rajonit Bogovinë – Vrapçisht.

Ndryshe ditëve të fundit, vendi ynë është nën ndikimin e një moti të nxehtë ku temperaturat mbërrijnë deri në 39 gradë, andaj kompetentët kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar me zjarret.

Sipas metereologëve nesër pritet destabilizimi i motit kurse nga e mërkura edhe rënie të temperaturave./Tv Koha/

Të fundit