Të tjera lajme

VLEN: 24 MUAJ NË SHËRBIM TË QYTETARËVE – BDI ME KRITIKA!

VLEN prezantoi para anëtarëve dhe mbështetësve rezultatet e dy viteve të pjesëmarrjes në qeveri. Sipas drejtuesve të koalicionit, gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 300 projekte infrastrukturore në komunat me shumicë shqiptare.

BEKIM SALI – Zv/Kryeministër

“Deri më tani janë realizuar rreth 308 projekte, që paraqet një dallim të madh mes qeverisjes së VLEN-it për 24 muaj dhe qeverisjes së mëparshme 24-vjeçare të BDI-së, gjatë së cilës nuk u realizuan shumica e investimeve kapitale në pushtetin lokal. Ndër investimet janë Korridori 8, nënshkrimi i kontratës për autostradën që do të ndërtohet deri në Bllacë, stimulimi i të rinjve për hapjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme – rreth 2.500 kompani të mbështetura nga Ministria e Ekonomisë, si dhe punësimi dhe avancimi i mbi 2.500 shqiptarëve në administratën publike. Ka edhe shumë projekte të tjera”, deklaroi Bekim Sali, sekretar i përgjithshëm i VLEN-it.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, deklaroi se gjatë dy viteve të qeverisjes, VLEN ka realizuar reforma dhe projekte që, sipas tij, kishin mbetur të parealizuara për një çerek shekulli.

BILALL KASAMI – Bashkëkryetar i VLEN

Në 2-vjetorin e qeverisjes së VLEN-it, bashkëkryetari Izet Mexhiti tha se vendi po kalon një fazë të re politike, ku premtimet po zëvendësohen me rezultate konkrete dhe institucionet po kthehen në shërbim të qytetarëve.

IZET MEXHITI – Bashkëkryetar i VLEN

Nga ana tjetër, BDI kritikoi ashpër VLEN-in, duke vlerësuar se “dy vite pas premtimeve spektakolare nuk ka asgjë”. Partia opozitare ngriti një sërë pyetjesh: ku janë ndryshimet kushtetuese, barazia e gjuhës shqipe, Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve, Ministria e Diasporës, autostradat, hekurudhat dhe investimet?

Lidhur me kritikat e BDI-së se janë tepër pasiv brenda koalicionit qeveritar dhe për protestat me të cilat po përballen, nga VLEN u përgjigjën se problemet me provimin e jurisprudencës dhe emërtimet e rrugëve në Tetovë janë pasojë e improvizimeve të qeverisjes së mëparshme.

Sipas tyre, këto çështje po zgjidhen një nga një, duke respektuar procedurat ligjore./Tv Koha/

Të fundit