Të tjera lajme

ZJARRET NË VAKËFIN E ISH-SHTËPISË PËRMIRËSUESE SHQETËSOJNË BANORËT DHE INSTITUCIONET

Në kohën kur autoritetet qendrore por edhe lokale vazhdimisht bëjnë thirrje për kujdes ndaj zjarreve në ambiente të hapura dhe në kohën kur tashmë është ndaluar apo kufizuar lëvizja nëpër pyje si masë parandaluese për evitimin e zjarreve, brenda një muaji në vakëfin te ish-Shtëpia Përmirësuese në Tetovë janë raportuar zjarre të përsëritura, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike, mbrojtjen e pronës dhe mungesën e reagimit institucional.

Disa ditë me radhë brenda një muaji në vakëfin te ish-Shtëpia Përmirësuese në Tetovë janë raportuar zjarre të përsëritura, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike, mbrojtjen e pronës dhe mungesën e reagimit institucional.

Hapësira në fjalë, sipas dokumentacioneve kadastrale është pronë e Bashkësisë Fetare Islame në RMV-Myftinia Tetovë dhe duket se mbetet e pambrojtur ndaj veprimeve që rrezikojnë jo vetëm ato parcella, por edhe zonën përreth në veçanti kur kemi parasysh që aty për rreth gjendet edhe kompleksi Harabati Baba.

Myftiu i Tetovës Selver Xhemaili konfirmon zjarret në këto hapësira por edhe pranon se kjo zonë disi është lënë pasdore.

BFI-ja, si pronare e deklaruar e pronës, ka përgjegjësi morale dhe institucionale të mos lejojë që një vakëf i tillë të shndërrohet në pikë rreziku. Pronësia nuk duhet të mbetet vetëm një çështje dokumentesh, por të shoqërohet me mirëmbajtje, ruajtje, transparencë dhe plan konkret për përdorimin e pronës.

SELVER XHEMAILI – Myfti i Tetovës

Nëse një pronë digjet disa herë brenda një periudhe kaq të shkurtër, nuk mund të flitet më për raste të izoluara. Kjo kërkon përgjigje të qarta: a ka mbikëqyrje, a ka sigurim fizik, a janë ndërmarrë masa për të kufizuar hyrjen në këtë hapësirë dhe a është raportuar çdo rast tek institucionet kompetente?

Zjarrfikësit e Tetovës thonë se në këtë zonë kanë intervenuar pesë herë. Bëjnë thirrje për kujdes të shtuar pasi dalja e zjarrit jashtë kontrollit në këtë zonë të banuar mund të ketë pasoja katastrofike.

AVNI AMETI – Komandant i NJTKZ – Tetovë

Lidhur me këtë dukuri përgjegjësia e pushtetit lokal lidhet edhe me parandalimin, kontrollin e objekteve të braktisura ose të rrezikuara, koordinimin me pronarët dhe mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e mundshme.

Komuna e Tetovës nuk mund të mjaftohet vetëm me intervenimin e zjarrfikësve pasi flakët të kenë shpërthyer.

Komuna dhe BFI-ja duhet të dalin publikisht me sqarime dhe masa konkrete, sepse neglizhenca ndaj një prone të tillë mund të ketë pasoja që shkojnë përtej dëmit material./Tv Koha/

Të fundit