Të tjera lajme

AKI PROPOZON 67 EMRA TË RINJ PËR RRUGËT E TETOVËS, KËSHILLI E PRANON

Këshilltarët e AKI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës kanë dorëzuar sot një kërkesë zyrtare për emërtimin e 67 rrugëve të qytetit. Sipas koordinatorit të këtij grupi, propozimet janë hartuar duke respektuar plotësisht përkatësitë etnike dhe realitetin historik të Tetovës.

BERAT MURATI – “Sot, si grup i këshilltarëve të AKI-së, në cilësinë e koordinatorit dorëzova një kërkesë për plotësimin dhe ndryshimin e rendit të ditës pranë kryetarit të Këshillit Komunal. Kërkuam që si pikë e parë të vendoset propozim-vendimi për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave publike në territorin e Komunës së Tetovës. Bëhet fjalë për një propozim konkret për 67 rrugë dhe sheshin e Tetovës. Ky propozim është hartuar me përkushtim dhe profesionalizëm, duke pasqyruar realitetin historik, si dhe duke respektuar të gjitha komunitetet etnike dhe trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë.”

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Komunal në Tetovë, Jusuf Abduli, konfirmoi pranimin e kësaj kërkese. Ai bëri të ditur se kjo pikë do të futet në rend dite për debat gjatë seancës së të hënës, ndërsa vendimi përfundimtar do të varet nga votat e shumicës së këshilltarëve.

JUSUF ABDULI – “Ditën e hënë, Këshilli Komunal do të mbajë seancën e tij të 15-të, ku do të shqyrtohen shumë pika të rëndësishme për qytetin e Tetovës. Ne aktualisht jemi në bisedime dhe konsultime e sipër. Të njëjtën kërkesë do ta shqyrtojmë në atë seancë së bashku me këshilltarët e pozitës. Do të zhvillohet debat dhe më pas do të merret vendim, ashtu siç parashihet me rregullore, përmes votimit të shumicës.”

Debati për emrat e rrugëve në Tetovë u riaktualizua pasi Gjykata Kushtetuese, para një muaji, shfuqizoi një vendim të vitit 2007 për ndryshimin e toponimeve. Me këtë vendim të Kushtetueses, 14 rrugë në Tetovë do të duhet të kthejnë emrat e tyre të vjetër, përfshirë edhe Sheshin “Iliria”, i cili juridikisht kthehet në emërtimin e mëparshëm “Marshall Tito”./Tv Koha/

Të fundit