Nga 1 korriku është ndërmarrë një hap i rëndësishëm për përmirësimin e qasjes së pacientëve në terapinë antikoagulante, thonw nga VLEN, duke njoftuar se
tre barna të rëndësishme – Enoxaparin, Nadroparin dhe Rivaroxaban – tashmë janë të disponueshme në barnatoret e vendit dhe të njëjtat do të mbulohen nga Fondi i Sigurimit Shëndetësorë.
Sipas tyre, kjo nënkupton më pak procedura administrative, më pak pritje dhe më pak shpenzime për qytetarët.
SEDAT BISLIMI – VLEN Enoxaparin dhe Nadroparin, të cilat deri më tani siguroheshin përmes procedurës së rimbursimit, tani mund të merren drejtpërdrejt në barnatore. Kjo do të thotë se pacientët nuk do të kenë më nevojë t’i paguajnë fillimisht barnat nga xhepi i tyre dhe më pas të presin kthimin e mjeteve.
Për shumë familje, kjo nuk është vetëm një lehtësim administrativ, por një mbështetje reale që reflektohet drejtpërdrejt në buxhetin familjar.
Njëkohësisht, për herë të parë, Rivaroxaban është përfshirë në Listën pozitive të barnave. Ky është një vendim me rëndësi të veçantë për mijëra pacientë që kanë nevojë për këtë terapi dhe që deri më tani përballeshin me kosto të larta mujore.
Vetëm për paketimin më të përdorur të Rivaroxaban-it, kursimi arrin mbi 1.700 denarë në muaj. Ndërsa, duke filluar nga 1 janari 2027, ky bar do të jetë i disponueshëm vetëm me participimin ligjor, pa pagesë shtesë.
Në ditët e para të zbatimit të këtij ndryshimi, si çdo reformë e rëndësishme, nevojitet një periudhë e shkurtër përshtatjeje për të gjithë pjesëmarrësit në sistemin shëndetësor. Pikërisht për këtë arsye, me qëllim që asnjë pacient të mos mbetet pa terapinë e nevojshme, Fondi ka vendosur që edhe barnat Enoxaparin (Kleksan) të blera sipas procedurës së deritanishme të rimbursohen deri më 15 korrik 2026. Kjo është një masë kalimtare që garanton vazhdimësinë e terapisë dhe një kalim të qetë drejt mënyrës së re të furnizimit me barna.
Po ashtu, pas më shumë se një dekade për her të parë është zgjeruar Lista pozitive me më shumë se gjashtë barna të reja. Paralelisht është zgjeruar edhe Lista B për spitalet publike, duke krijuar mundësi për trajtim më cilësor dhe më të qasshëm për pacientët.
Këto janë masa konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Për VLEN-in, puna mbetet mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Çdo vendim që ua lehtëson jetën qytetarëve, qoftë duke thjeshtuar procedurat apo duke ulur barrën financiare për familjet, është dëshmi se angazhimi ynë në institucione sjell rezultate konkrete. Pikërisht kështu e kuptojmë përgjegjësinë që na kanë besuar qytetarët.
VLEN: KUJDESEMI PËR SHËNDETIN DHE BUXHETIN FAMILJAR







