Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se është zbardhur rasti i 30 qershorit, kur një vajzë 12-vjeçare u sulmua fizikisht në një park në Komunën e Aerodromit, ndërsa disa të mitur të pranishëm e filmonin ngjarjen me telefonat e tyre celularë.
Policia ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit kallëzim penal ndaj dy vajzave të mitura për veprën penale “Dhunë”, ndërsa kallëzime penale janë ngritur edhe ndaj dy të miturve për nxitje dhe incizim të paautorizuar, si dhe ndaj pesë prindërve për neglizhim dhe keqtrajtim të fëmijës.
Nga MPB bëjnë të ditur se zyrtarët policorë nga Aerodromi, Draçeva dhe Kisella Voda kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Rasti ka të bëjë me incidentin në të cilin vajza 12-vjeçare u sulmua fizikisht nga disa të mitura, ndërsa të mitur të tjerë që ndodheshin në vendngjarje e filmonin sulmin me telefonat e tyre celularë.







