Lëvizja Arbëria për dallim prej subjeteve të tjera nuk është themeluar për të diskutuar për pozita dhe kolltuqe, thotë Bekim Fazliu nga kjo Lëvizje, në një intervistë të dhënë për TV Koha. Për Fazliun, do të ishte më mirë një ligj i mirë dhe në dobi të shqiptarëve, sesa një pozitë për Lëvizjen Arbëria.
Në prononcimin e tij, Fazliu tha se forca politike e një subjekti në Qeveri nuk matet me numrin e ministrave që subjekti ka, sepse, siç ai deklaroi, në të kaluarën kemi pasur ministra të shumtë të cilët kanë qenë vetëm figura dhe nuk kanë qenë në shërbim të qytetarëve.
Nëse e masim vetëm me poste, ne në të kaluarën, në 20-vjeçarin e kaluar të BDI-së kemi pasur shumë poste. Ke pasur Ministër të Punëve të Jashtme shqiptar që nuk mund ta largojshe prej Serbie. Ke pasur ministër të Mbrojtjes, shqiptar që takohej me atë të “Vojska Serbies” me gjeneralin e akuzuar për krime lufte, Dikoviq. Ke pas 5 ministra shqiptar të BDI-së, të Drejtësisë që nuk arritën ta zgjidhin një çështje të provimit të Jurisprudencës që të jepet edhe në shqipe.
Mes tjerash, Fazliu foli edhe për denoncimet e ambasadorit të BE-së për kanalizimin në Zajaz. Sipas tij, ky kanalizim është simbolika më e fuqishme e qeverisjes 20 vjeçare të BDI-së.
Kanalizimi i Zajazit është simbolika më e fuqishme për BDI-në. Qeverisjen e BDI-së në 20-vjeçarin e kaluar. Dmth, në letra janë të përfunduara projektet në raport të realizuara ndërsa në terren nuk i gjen askund. Kjo është metafora më e rëndësishme që e shpjegon politikën 20-vjeçare të BDI-së. Vetëm ka premtuar propagandë dhe asgjë nuk kanë realizuar.
Fazliu deklaroi se BDI-ja nuk është fajtore vetëm për kanalizimin në Zajaz, sipas tij, BDI duhet të përgjigjet edhe për mungesën e ujit të pijshëm në Likovë, Saraj po edhe në shumë vendbanime tjera shqiptare që përballen me probleme elementare të jetesës./ Tv Koha/








