Të tjera lajme

Alarm në Gostivar: Qindra qytetarë me simptoma stomaku, kontrollohet cilësia e ujit të pijshëm

Në Gostivar është ngritur alarm pas rritjes së numrit të qytetarëve që kanë paraqitur simptoma të problemeve me sistemin tretës. Për këtë arsye, uji i pijshëm nga ujësjellësi i qytetit po i nënshtrohet kontrolleve të jashtëzakonshme për të verifikuar nëse ekziston ndonjë lidhje mes cilësisë së ujit dhe rasteve të raportuara njoftin INA.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka kërkuar kryerjen e analizave të jashtëzakonshme të ujit pas ankesave të qytetarëve gjatë dhjetë ditëve të fundit për simptoma si dhimbje barku, diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë.

Ndërkohë, nga Prokuroria Themelore Publike kanë bërë të ditur se, pas një kallëzimi për ndërhyrje të mundshme të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, me urdhër të prokurorit publik janë duke u ndërmarrë veprime për të hetuar cilësinë e ujit të pijshëm.

Disa qytetarë kanë shprehur dyshime se në rezervuarin e ujësjellësit mund të ketë hyrë ujë i ndotur, por këto pretendime ende nuk janë konfirmuar nga institucionet kompetente.

Nga Departamenti për Higjienë dhe Ekologji Shëndetësore pranë Qendrës së Shëndetit Publik në Gostivar kanë njoftuar se është kryer kontroll i jashtëzakonshëm dhe janë marrë mostra nga katër pika të ndryshme të rrjetit të ujësjellësit.

Specialisti i higjienës në Qendrën e Shëndetit Publik në Gostivar, dr. Berun Mustafa, deklaroi për MIA-n se analizat e fundit të ujit kanë rezultuar të rregullta.

“Për shkak të situatës, përveç analizave të rregullta kemi kryer edhe analiza të jashtëzakonshme. Rezultatet e fundit nga analizat e bëra të hënën ishin të mira, si në aspektin fiziko-kimik, ashtu edhe mikrobiologjik. Mostrat e reja janë marrë dje dhe rezultatet priten gjatë ditëve në vijim”, tha Mustafa.

Nga Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” kanë konfirmuar se në repartin infektiv dhe atë pediatrik është rritur numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të diarresë, dhimbjeve të barkut, të vjellave dhe temperaturës.

Sipas mjekëve, bazuar në gjetjet fillestare dhe pamjen klinike, dyshohet se bëhet fjalë për viroza sezonale, ndërsa deri tani nuk është konstatuar lidhje epidemiologjike mes rasteve.

Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta, duke rekomanduar respektimin e higjienës personale, konsumimin e ushqimeve të freskëta dhe larjen e mirë të frutave dhe perimeve para përdorimit.

Ata këshillojnë qytetarët që ujin ta përdorin vetëm nga burime për të cilat janë të sigurt se janë të kontrolluara.

Ndërkohë, tre analizat e fundit të ujit nga ujësjellësi i Gostivarit, të kryera gjatë muajit të kaluar nga Qendra e Shëndetit Publik, kanë treguar se uji ka qenë i sigurt dhe i përshtatshëm për konsum./INA/

Të fundit