Të tjera lajme

Edhe për sot pasdite parashihet mot me erëra të fuqishme dhe shi

Pas stuhisë që dje përfshiu Shkupin dhe disa qytete të tjera të vendit, DPHM njofton se edhe sot, si dhe gjatë ditëve në vijim, priten stuhi afatshkurtra të shoqëruara me erë të fortë dhe paraqitje të izoluar të breshrit. Të premten priten reshje më të dendura shiu, ndërsa për shkak të depërtimit të një mase ajrore më të ftohtë nga veriu, temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme.

Stuhi me breshër priten edhe pasditen e sotme. Moti gjatë ditës do të jetë pjesërisht i vranët me intervale me diell, ndërsa në disa zona do të ketë reshje të herëpashershme shiu dhe paqëndrueshmëri lokale të shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm, bubullima, erë të përforcuar dhe në disa vende edhe stuhi të izoluara me breshër. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa përgjatë luginës së Vardarit herë pas here erë e fortë nga veriu, me shpejtësi që në disa vende do të kalojë 60 kilometra në orë.

Në Shkup moti do të jetë pjesërisht i vranët me periudha me diell, ndërsa në disa pjesë të luginës do të ketë reshje të përkohshme shiu dhe kushte për paqëndrueshmëri me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fortë. Deri të premten në kryeqytet do të mbajë mot pjesërisht i vranët dhe herë pas here i paqëndrueshëm me reshje shiu dhe bubullima, ndërsa në disa pjesë të qytetit ekziston mundësia e paraqitjes së breshrit.

Kujtojmë se pas stuhisë me erëra të forta dhe reshje shiu që dje përfshiu territorin e Maqedonisë së Veriut, në numrin unik për thirrje emergjente 112 janë pranuar mbi 9.000 thirrje nga qytetarët, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), deri në orën 22:00 në Shkup janë regjistruar 117 automjete të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë të dëmtuar, pesë zjarre dhe 10 persona të lënduar.

Të fundit