Të tjera lajme

RIBALANCI I BUXHETIT: 46 MILIARDË DENARË PËR INVESTIME KAPITALE!

Më shumë mjete për projektet kapitale, mbështetje shtesë për bujqësinë dhe masa të reja për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe me bazë gjinore janë pjesë e ribalancit të plotësuar të Buxhetit për vitin 2026, të cilin Qeveria e miratoi pas përfundimit të debatit në Komisionin për Financim dhe Buxhet në Kuvend.Në dokument janë përfshirë amendamentet e pranuara nga Komisioni për Financim dhe Buxhet, pas së cilës propozim-ribalanci i plotësuar do t’u dërgohet sërish deputetëve për miratim përfundimtar.

Sipas Ministrisë së Financave, të hyrat e përgjithshme në buxhetin e ribalancuar janë planifikuar në 379,5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 425,8 miliardë denarë.

Mjete shtesë janë paraparë edhe për subvencionet në bujqësi, transportin hekurudhor, sportin, standardin e studentëve dhe nxënësve, si dhe për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.

Më shumë fonde do të destinohen për kompensimet sociale, shoqëritë mbrojtëse, kuzhinat popullore dhe masat për deinstitucionalizim, me qëllim mbështetjen e kategorive më të rrezikuara të qytetarëve.

Rritja më e madhe është paraparë për investimet kapitale, për të cilat janë planifikuar rreth 46 miliardë denarë, që është 14,5 për qind më shumë krahasuar me buxhetin fillestar. Njëkohësisht, zvogëlohen shpenzimet për mallra dhe shërbime.

Deficiti buxhetor është projektuar në 46,3 miliardë denarë, ose 4,1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa rritja ekonomike e parashikuar është 3,5 për qind.

Me Ribalancin e Buxhetit sigurohen mjete shtesë për gratë që ushtrojnë veprimtari bujqësore, për krijimin e një linje kombëtare SOS për mbështetjen e viktimave të dhunës në familje dhe me bazë gjinore, si dhe për hapjen dhe funksionalizimin e dy qendrave të strehimit.

Me miratimin e ribalancit të plotësuar nga Qeveria, procedura rikthehet në Kuvend, ku deputetët do të vendosin për versionin e tij përfundimtar.

Të fundit