Të tjera lajme

“TETOVA N`FESTË”: ANSAMBLI “SHOTA” SOLLI NGJYRA, RITËM DHE EMOCIONE!

Në skenën e verës tetovare “Tetova N`Festë”, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, solli një program artistik plot ngjyra, ritëm dhe emocion për publikun tetovar.

Çdo hap valljeje, çdo tingull dhe çdo varg u shndërrua në një rrëfim, sepse arti i vërtetë flet me gjuhën e zemrës, ndërsa tradita mbetet jehona që i reziston kohës.

Edhe mbrëmë programi artistik ishte përgatitur enkas me këngë e valle nga trevat shqiptare.

Koncerti u hap me vallen e Tiranës me koreografi të Bekim Jazexhiut, valle kjo e cila është ndërtuar me motive të Shqipërisë së Mesme.

Më pas u paraqitën solistët Saranda Alija, Samir Krasniqi, Myrvete Bajrami – Haziri, Violeta Kukaj një emër I njohur I skenës, por edhe me “Vallen e Dibrës”.

Një figurë e madhe artistike si Qamili I Vogël kërkon shpirtin e duhur ku tenori Liridon Sadriu solli një nga perlat madhështore “Zambaku I Bardhë”.

Pjesa e dytë e mbrëmjes udhëtoi në Jugun e Shqipërisë përkatësisht në Labëri duke sjellë “Vallen e Çobanit”.

Spikati “Kënga e Flamurit” në interpretim të Samir Krasniqit këngë kjo e trashëguar nga rapsodët e mirënjohur Salih e Feriz Krasniqi e përpunuar mjeshtërisht nga Ylber Arsllanaj, Vallja “Festa e Bashkimit”, por edhe kënga kushtuar heroit legjendar Adem Jasharit “Ai është gjallë” në interpretim të Violeta Kukaj.

AKV “Shota” me dekada të tëra ka ruajtur dhe kultivuar thesarin e pashtershëm burimor duke e sjellë atë me krenari para publikut brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.

Ky ansambël vazhdon të jetë zë dhe shpirt i festave kombëtare, duke përcjellë mesazhin e lirisë, unitetit dhe identitetit shqiptar./Tv Koha/ 

Të fundit