Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në një takim zyrtar anëtarët e Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), Mamut Skenderi, Zikri Meta dhe Nazim Alimi.
Takimi u përqendrua te shkëmbimi i informacioneve mbi zhvillimet e fundit dhe planet për të ardhmen, me theks të veçantë te dinamika e projekteve zhvillimore në komunë dhe roli i lobimit për çështjet shqiptare në rajon.
Gjatë takimit, Kasami njohu përfaqësuesit e Ligës me ecurinë e investimeve kapitale dhe realizimin e projekteve infrastrukturore që po transformojnë Komunën e Tetovës, duke e cilësuar bashkëpunimin me faktorët ndërkombëtarë si një mbështetje të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm.
Nga ana tjetër, anëtarët e Bordit të LQSHA-së prezantuan agjendën e tyre të veprimtarisë për temat me interes kombëtar. Ata shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin në fushën e investimeve në rajon, si dhe për të krijuar ura të reja lidhëse me diasporën shqiptare, e cila mbetet një partner kyç për zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan për të vazhduar komunikimin e ngushtë dhe koordinimin e aktiviteteve, me qëllim avancimin e proceseve që nxisin zhvillimin e komunës dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të interesave shqiptare.








