Dy ishin mesazhet kryesore të Aleksandër Vuçiç në tubimin e thirrur në Beograd mbrëmjen e së premtes. Mesazhi i parë ishte i qartë kundër perëndimit: Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht presionit të Brukselit dhe Uashingtonit. Mesazhi i dytë u adresohej serbëve. Vuçiç kërkoi bashkimin e tyre për të përballuar, siç tha, sfidat e mëdha që po kalon populli serb në Kosovë dhe në Bosnje. Vuçiç tha se është krenar që asnjë ambasador dhe asnjë qeveri e huaj nuk qeveris në Serbi, përveç popullit serb. ‘Ne i marrim vetë vendimet tona, askush nuk na i imponon dot’, tha Vuçiç. Vuçiç njoftoi dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë progresiste serbe dhe njoftoi krijimin e frontit të bashkuar, që sipas tij, tha se do të mbledhë të gjithë popullin serb për të përballuar sfidat e vendit. Por, më shumë se për sfidat e popullit serb, ekspertët e kanë interpretuar tubimin e Vuçiçit në Beograd si shfaqje force dhe karshillëk ndaj Perëndimit. Nën presionin e shtuar për të shkëputuar lidhjet me Rusinë dhe vendosur sanksione ndaj Moskës, Vuçiç iu kundërpërgjigj perëndimorëve me thirrjen se e ka ai në dorë nëse do apo jo të vendosë sanksione.







