Në gjendje të mjerueshme është lënë kalimi i hekurudhës që gjendet mes rrugës Tetovë-Falishtë. Qindra vetura kalojnë mbi këtë kalim, por të shumtë janë vozitësit që dëmtojnë veturat e tyre. Kohëve të fundit, me urbanizimin e kësaj zone, çdo ditë e më shumë shtohen kalimtarët ndërsa ky kalim vazhdon e dëmtohet ende më shumë kurse autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të tejkaluar këtë problem. Ata që çdo ditë e kalojnë këtë rrugë thonë se makinat e tyre po dëmtohen shumë dhe kërkojnë që sa më shpejtë që të jetë e mundur, të rregullohet ky kalim. Për më shumë kjo rrugë lidh fshatrat Falisht dhe Strimnicë me Tetovën. Për këta banorë ky kalim është kthyer në një shqetësim të madh. Shtuar këtu mungesën e sinjalizimit adekuat rreziku është tepër i madh. Sipas banorëve, më shumë dëmtohen gomat e veturave, shkaku i binarëve që kanë humbur baraspeshën. “Kemi dëmtimeve të automjeteve, sidomos gomat më shumë prishen nga binarët të cilët nuk e kanë humbur baraspeshën. Si pasojë e kësaj ne jemi të detyruar që shumë shpesh të bëjmë riparime të automjeteve sidomos gomave dhe amortizimit”, pohojnë vozitësit të cilët e kalojnë këtë rrugë çdo ditë.
Në mungesë të sinjalistikës adekuate, jo të rralla kanë qenë edhe aksidentet në këtë kalim të hekurudhës, disa prej të cilave kanë përfunduar edhe me fatalitet. Ndërsa deri tani nuk është folur asnjëherë as për nënkalim e as për mbikalim dhe drejtuesit e automjeteve në këtë rrugë vazhdojnë të dëmtojnë veturat e tyre gjatë kalimit mbi këtë hekurudhë. Edhe pse ky kalim është tepër i frekuentuar kur dihet se një pjesë e madhe e banorëve të Tetovës dhe jo vetëm, kanë prona bujqësore dhe duhet patjetër të kalojnë përmes hekurudhës, rreziku është më i madh sepse mungojnë edhe shenjat paralajmëruese edhe pse treni rrallë herë kalon në linjën Shkup-Tetovë-Kërçovë.







