Të tjera lajme

(VIDEO) Kosova, 16 vjet shtet i pavarur

17 shkurti i vitit 2008 kurorëzoi një rrugëtim të vështirë të shqiptarëve të Kosovës drejt shpalljes së pavarësisë. Sytë e mbarë kombit shqiptar u drejtuan në Kuvendin e Kosovës, nga ku ish kryeministri Hashim Thaçi deklaroi Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. 16 vite më pas, krerët e shtetit nderuan sakrificën sublime të gjithë atyre që dhanë jetën për liri. “Këto 16 vjet të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe ka vendosur për të treguar para botës se jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por është kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufijve të saj. Në këtë ditë kujtojmë vizionin e arkitektit të pavarësisë, presidentit Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve me në krye komandantin Adem Jashari” Në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti theksoi rrugëtimin drejt të ardhmes evropiane. “Ne i mbijetuam gjenocidit të fundit të shekullit 20, pas luftës shkatërruese të viteve 1998-1999 ne i rindërtuam shtëpitë tona. Me mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar ndërtuam shtëpinë e përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare të mirëfilltë me drejtësi dhe barazi për qytetarët e saj, kontribuuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të gjitha pakicave, drejtësinë sociale dhe solidaritetin e ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror” Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca mbajtën homazhe tek monumenti i të pagjeturve, duke i nderuar ata për sakrificën e tyre ndaj shtetit tonë. “Sot është një ditë jo vetëm e festimit, por edhe reflektimit, falënderimit dhe mirënjohjeve. Falënderimi i parë shkon për ata dëshmorë dhe martirë që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë, po ashtu edhe për të gjithë ata veprimtarë dhe aktivistë politikë që nuk kursyen asnjë gjë që shteti jonë të krijohet. Padyshim edhe miqtë tanë ndërkombëtarë që të lindë Republika e Kosovës” Homazhe u mbajtën tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçit si dhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz. TV KOHA

Të fundit