Të tjera lajme

Rregulla të reja nga 12 tetori për udhëtim në BE: Qytetarët në RMV do të informohen në kohë nga MPB

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) do t’i informojë në kohë qytetarët rreth rregullave të reja për udhëtimin në Bashkimin Evropian, të cilat do të hyjnë në fuqi më 12 tetor 2025. Qëllimi është të shmangen vonesat në pikat kufitare dhe të mundësohet lëvizja e qetë e pasagjerëve, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike (BSP), Aleksandar Janev, thotë se MPB është në komunikim të vazhdueshëm me partnerët e saj evropianë. Sipas njoftimeve fillestare, qytetarët do të duhet të plotësojnë aplikime online si pjesë e rregullores së re.

“Po diskutojmë çdo ditë se si ta bëjmë të gjithë këtë më të lehtë dhe më të arritshme për qytetarët tanë. Pajtohem, problemi më i madh mund të jenë pikat kufitare me fqinjët tanë që janë pjesë e Bashkimit Evropian. Prandaj, është detyrimi ynë t’i informojmë plotësisht qytetarët rreth aplikimeve që duhet të dorëzojnë”, tha Janev në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

Ai shtoi se aplikimi online do të zgjasë pak dhe do të jetë i vlefshëm për dy vjet.

Janev theksoi se Ministria e Brendshme do të ndajë informacion zyrtar sapo ta marrë nga BE-ja.

“Kjo rregullore është nga BE-ja dhe ne jemi të detyruar ta respektojmë atë”, tha Janev.

Masat e reja janë pjesë e Sistemit të Hyrjes/Daljes (EES) dhe do të fillojnë zbatimin më 12 tetor të këtij viti.

Sipas informacionit të publikuar në ueb-faqen Bashkimit Evropian, sistemi do të futet gradualisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe pritet të jetë plotësisht funksional nga 10 prilli i vitit të ardhshëm. Ndërkohë, 29 vendet evropiane do të futin elementët e ndryshëm të sistemit në faza, duke përfshirë sistemet për mbledhjen e të dhënave biometrike, siç janë fotot e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve. Kjo do të thotë që në disa pika kufitare, mbledhja e të dhënave biometrike mund të mos fillojë menjëherë dhe pasagjerët që kalojnë atje nuk do të futen menjëherë në sistem. Vulosja në pasaporta do të vazhdojë.

Të fundit