Ndaj akuzave të mbrëmshme të Adnan Azizit, reagoi opozita. Nga BDI, këto akuza i cilësojnë si fushatë të errët e të rrezikshme, jo vetëm procesin zgjedhor por edhe për, siç thonë, marrëdhëniet ndëretnike e ndërfetare dhe stabilitetin e sigurinë në vend. Nga BDI thonë se këto janë skenarët më të dëmshme dhe të rrezikshme që nga koha e Rankoviçit e Çubrilloviqit.
“Adnan Azizi dhe VLEN dalin edhe me teori ogurzeza, duke paralajmëruar djegie të xhamisë në Kodrën e Diellit dhe duke krijuar përsëri alibi për huliganët që të bëjnë një vepër të tillë e duke ua hedhur paraprakisht fajin shqiptarëve si “fajtorë kujdestar” siç po bëjnë që nga formimi i kësaj qeverie. Me deklaratat e fundit me përmbajtje fetare nga eksponentë të ndryshëm të VLEN-it po dëshmohet edhe një lojë më e rrezikshme. Të gjitha sulmet dhe goditjet me bazë etnike ndaj shqiptarëve, ata duan ti shtrembërojnë, tu japin konotacion fetar dhe të nxisin tensione me bazë fetare”, thonë nga BDI.
Aleanca për Shqiptarët e Selës, partner koalicioni me BDI-në kërkon që prokuroria të zbardhë dhe të hetojë deklaratat e Adnan Azizit. Nga atje thonë se Prokuroria, MPB dhe organet tjera, duhet të vërtetojnë nëse Azizi ka denoncuar një rrezik të vërtetë, apo ka nxitur situatë të rrezikshme potenciale. /Alsat.mk







