Dhjetëra zjarre janë shkaktuar në rajonin e Tetovës dhe jo vetëm si pasojë e mos pastrimit të oxhaqeve. Këto zjarre zakonisht shkaktohen në këtë periudhë të vitit kur edhe ndodhemi në sezonin e ngrohjes si pasojë e neglizhencës për mos pastrim dhe kontrollim në kohë të oxhaqeve. Nga njësia e zjarrfikësve nënvizojnë se edhe pse kanë bërë apele vazhdimisht megjithatë kjo dukuri përsëritet pasi që kanë interevenuar në dhjetëra raste të zjarreve për shkak të mos mirëmbajtjes së oxhaqeve.
“Vlen të përmendet rasti i fundit në fshatin Tenovë ku nga pakujdesia e pronarit të shtëpisë rreth mirëmbajtjes së oxhaqet, zjarri ka përfshirë edhe kulmin e shtëpisë. Apelet tona kanë qenë që pastrimi i oxhqeve të bëhet në kohë dhe mos kemi dëme më të mëdha materiale. Oxhaqet duhet të pastrohen dy herë brenda vitit, mirëpo qytetarët përdorin lloj lloj lëndë djegëse për ngrohje dhe pastaj lehtë ndizet. Duhet që inspektoriatet përgjegjëse të bëjnë kontrolle dhe të paralajmërojnë qytetarët që nuk pastrojnë oxhaqet por edhe të shqiptojnë dënime” thotë Avni Ameti, komandant i njësisë së zjarrfikësve të Tetovës.
Edhe nga Policia e Tetovës thonë se me fillimin e sezonit të ngrohjes, rritet ndjeshëm
mundësia e zjarreve, kryesisht si pasojë e pakujdesisë njerëzore, instalimeve elektrike të vjetruara dhe të amortizuara në ndërtesa, furrave me defekt dhe oxhaqeve të papastruara në shtëpi ose ndërtesat e banimit. Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë me këtë rast apelon deri tek qytetarët për kujdes maksimal, përkatësisht të mos i lënë të ndezura ngrohëset kur nuk janë në shtëpi apo në hapësirat e punës për një kohë të gjatë, e sidomos kondicionerët. Kjo për shkak sepse nevojitet vetëm një shkëndijë e vogël për të shkaktuar zjarr me pasoja serioze materiale dhe të tjera.
“Kjo vlen veçanërisht për ndërtesat e banimit, ku lokalizimi i zjarreve është shumë më i vështirë, për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në shumë prej tyre dhe qasjes së vështirësuar në ndërtesa, kryesisht për arsye ndërtimore apo të tjera. Pronarëve dhe banorëve të ndërtesave u rekomandohet të kontrollojnë dhe pastrojnë oxhaqet, të paktën dy herë në vit, por edhe të mos i mbingarkojnë instalimet duke ndezur disa pajisje elektrike në të njëjtën kohë. Kjo pasi, sipas nenit 288 të Kodit Penal, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, përbën vepër penale për të cilën është parashikuar
dënim me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, e nëse është kryer nga pakujdesia, dënimi është deri në tre vjet burg” thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Edhe nga policia edhe nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë apelojnë deri tekqytetarët që t’i respektojnë udhëzimet për të parandaluar zjarret e mundshme dhe me këtë të parandalojnë pasoja më serioze për jetën dhe pasurinë e tyre, si dhe jetën dhe pasurinë e të tjerëve./ TV KOHA/