Urime me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, me dëshirë për stabilitet dhe prosperitet – thuhet në urimin e Presidentes, Gordana Siljanovska Davkova.
“Si vende mike, kultivojmë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe punojmë në realizimi e vizionit të përbashkët për integrim evropian të rajonit” – thuhet në urimin e Presidentes.
Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera. Lidhjet tona fqinjësore, shoqërore dhe historike janë të forta dhe përbëjnë një themel të palëkundur për thellimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona – thuhet në urimin e Kryeparlamentarit, Afrim Gashi.
17 shkurtin e Pavarësisë së Kosovës, e ka uruar edhe koalicioni VLEN. Urimet I drejtohen presidentes Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Në këtë përvjetor, nuk mund të mos kujtojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe krerët e saj, të cilët sot po gjykohen në Hagë. Ne besojmë se shpallja e tyre të pafajshëm dhe kthimi i tyre në Kosovë është barazvlefshme me ditën e pavarësisë së vendit” – thuhet në urimin e koalicionit VLEN.
Kjo datë e shenjtë simbolizon sakrificën për liri, shtetësi dhe dinjitet kombëtar – thuhet në urimin e kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi.
“Uroj që Republika e Kosovës të vazhdojë me vendosmëri rrugën e konsolidimit institucional, forcimit të shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik dhe integrimit të plotë në strukturat euro-atlantike” – shkruan Thaci.
Urimi ka mbërritur edhe nga ASH-ja e Ziadin Selës.
“Liria dhe Pavarësia e Kosovës janë fryt i një rrezistence dhe përpjekje shekullore, me shumë sakrifica, dëshmorë dhe punë gjeneratash të intelektualëve, politikanëve e atdhedashësve” – thuhet në urimin e ASH-së.
Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë! – thuhet në urimin e Ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Mejdanit.
“Sot kujtojmë rrugën e gjatë të sakrificës dhe qëndresës që çoi drejt lirisë dhe shtetësisë. Kosova jonë e lirë mbetet simbol i dinjitetit, guximit dhe vendosmërisë së popullit që zgjodhi të jetojë i lirë në tokën e vet” – thuhet në urimin e Ambasadorit Mejdani.
Ndryshe, shumë liderë partiak dhe politikanë të vendit kanë bërë thirrje ose kanë marrë pjesë drejtpërdrejtë në protestën e madhe në Prishtinë në mbrojtje të ish-krerëve të UCK-së, protestë e cila mbahet pikërisht në ditën kur shënohet 18-vjetori i pavarësisë së Kosovës.







