Kanë nisur punimet për ndërtimin e objektit të ri të Komunës së Tetovës, një projekt që synon përmirësimin e kushteve të punës për administratën komunale dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve për qytetarët. Zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani, bëri të ditur se objekti i ri pritet të ndikojë ndjeshëm në funksionimin e administratës komunale dhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
“Kanë filluar punimet për objektin e ri të Komunës së Tetovës. Është një objekt i cili do të përmirësojë jashtëzakonisht kushtet komunale por sigurish edhe të shërbimeve ndaj qytetarëve do të ketë shërbime më efektive” tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Sipas saj, bazuar në kontratën e nënshkruar, afati i paraparë për përfundimin e punimeve është 18 muaj, megjithatë dinamika e realizimit do të varet nga ecuria e punimeve në terren. Vlera totale e projektit për ndërtimin e objektit të ri të komunës arrin diku 1 milion e 350 mijë euro.
“ Sipas kontratës, parashishet që punët për përfundimin e komunës të përfundojnë për 18 muaj, por kjo do të varet nga dinamika e punës Vlera totale e projektit është 83 milionë denarë, sigurisht mendojmë që do të jetë një objekt që do i përgjigjet edhe nevojav të administratës por edhe nevojave që qytetarëve” tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Autoritetet komunale vlerësojnë se objekti i ri do të përmbushë nevojat e administratës, por edhe kërkesat e qytetarëve për shërbime më efikase dhe më të shpejta.







