Rreth 50 punëtorë, të gjithë me shtetësi maqedonase, janë larguar nga puna nga kompania Bechtel‑Enka, pa paralajmërim paraprak dhe pa një sqarim të detajuar zyrtar. Kështu thonë punëtorët që sot u njoftuan dhe mbetën pa punë në rrugë. Ata theksojnë se arsyeja e vetme që u është thënë, është se Qeveria nuk ka lëshuar mjetet financiare për pagesën e pagave të tyre. Ata thonë se vendimi për largimin nga puna ka ardhur papritur, duke i lënë pa punë dhe pa siguri financiare.
MK “Sot erdhëm në punë dhe na dhanë listë se kush nga ne punëtorët e Maqedonisë nuk do të jemi më në punë! Ka disa nga kolegët që kontrata u skadon në muajin e tetë ose të 10-të por na kanë larguar që tani. Arsyeja na thanë sepse nuk kanë marr mjete nga shteti që më pas të na paguajnë neve. Thanë që ne nuk mund të ju finansojomë vetë! Kur shteti të lëshon mjete do të na thërrasin prap, ashtu na thanë”.
Duke shpresuar se punimet dhe dinamika nuk do të zbehen, nga Ministra e Transportit thonë se ndaj komapanisë së kontraktuar janë kryer të gjitha obligimet, ndërsa largimi i punëtorëve thonë se mund të ketë ndodhur nga kompanit e nënkontraktuara.
“Lidhur me ndërtimin e segmenteve të autostradës në Korridoret 8 dhe 10-d, ju informojmë se deri në këtë moment të gjitha situacionet financiare (faturat) për punët e kryera janë paguar në kohë dhe në tërësi ndaj kontraktuesit nga ana e Qeverisë. Sa i përket numrit të punëtorëve, kompanive që punojnë në emër të kontraktuesit si nënkontraktues, angazhimit të makinerive apo pajisjeve të tjera, ju informojmë se këto janë obligime kontraktuale të kontraktuesit Bechtel dhe Enka, për të cilat Qeveria, Ministria e Transportit dhe Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore si investitorë nuk kanë detyrime”.
Punëtorët kërkojnë që të respektohen kontratat e tyre të punës, të cilat shumicës së tyre u skadojnë muaj më vonë dhe që institucionet shtetërore të ndërhyjnë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Ata gjithashtu kërkojnë transparencë lidhur me arsyet e këtij vendimi dhe një zgjidhje të shpejtë për situatën e krijuar. Rasti ka shkaktuar shqetësim tek punëtorët dhe familjet e tyre, të cilët presin reagim nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar dhe zgjidhur këtë çështje. Deri më tani, nuk ka pasur reagim nga kompania gjigande ndërtuese, Bechtel – Enka.







