Po përgatitet një Ligj i ri për transplantimin e organeve, i cili pritet të përfundojë deri në fund të prillit, njoftuan autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tyre, ndryshimet ligjore do të lehtësojnë gjetjen e donatorëve për pacientët që kanë nevojë për transplanim. Këto komente bëhen në Ditën Botërore të Veshkave.
Sipas ndryshimeve të propozuara ligjore për transplantimin e organeve, çdo qytetar do të ketë mundësi të vendos vet nëse dëshiron të dhurojë organet e tij, sipas modelit të shumë vendeve evropiane, përmes një karte donatori. Aktualisht në Maqedoni fjalën e fundit për dhurimin e organeve e ka familja e personit të ndjerë.
Për momentin, për transplantim të veshkës, presin pak më pak se 100 pacientë. Institucionet shëndetësore theksojnë se është shumë e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve për dhurimin e organeve, veçanërisht për transplantimin nga persona të ndjerë.
Në vendin tonë rreth 85% e pacientëve me sëmundje të veshkave trajtohen me hemodializë, ndërsa vetëm rreth 15% arrijnë të kryejnë transplantim të veshkës.
Dy institucionet më të mëdha fetare në vend, Kisha Ortodokse Maqedonase dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, e mbështesin aktivisht dhurimin e organeve. Ato e kanë përkrahur këtë aktivitet human edhe gjatë miratimit të ligjit për transplantimin e organeve.
Ndryshe, Dita Botërore e Veshkave shënohet çdo vit të enjten e dytë të marsit.







