Me 27 vota për, dy kundër dhe asnjë të përmbajtur, këshilli i komunës së Tetovës, ka miratuar sot llogarinë përfundimtare të komunës për vitin që lam pas. Për kreun e komunës së Tetovës, buxheti i komunës për vitin e shkuar, ka shënuar rritje të theksuar prej dhjetë milion euove, me çka komuna e Tetovës, kalon nga buxhete pagesore të pagave në buxhet zhvillimore.
“Tek pjesa e të hyrave burimore, apo tatim në pronë, kemi një realizim gati njëqind e njëset për qind, që i bie që komuna ka qenë e angazhuar në aspektin financiar në drejtim të inkasimit të të hyrave vetanake dhe sigurisht që këto mjete kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve”.
Por edhe pse sipas kreut të komunës realizimi i buxhetit të vitit të shkuar ka qenë mbi 80 për qind, për këshilltarët e opozitës, mbeten shumë gjëra të paqarta.
“Kemi një deficit buxhetor prej minus 19.265 724 denarëve, që tregon se komuna nuk ka arritur të mbaj balanc të qëndrueshëm financiar. Rezervat buxhetore pothuajse nuk janë përdorur. Dhe si përfundim mund të themi se buxheti i vitit 2025 nuk është realizuar sipas planifikimit, ka mbivlerësim të të hyrave sidomos në transfere dhe donacione”.
Ndryshe, si shkak i mos votimit të llogarisë përfundimtare, në vitin 2022, komuna e Tetovës, ka shkuar në rivotim për këshilltarët komunal.







