Qytetarët sërish përballen me çmime më të larta nëpër marketet, kurse rritjet më të reja të çmimeve më shumë po ndjehen tek prodhimet që blihen për çdo ditë dhe që tradicionalisht konsumohen në vigjilje të Festës së Fitër Bajramit dhe të Pashkëve. Duket se presioni i rritjes së cmimit të karburanteve transferohet nëpër markete. Tv Koha hulumtoi se si e përballojnë qytetarët realitetin e ri të çmimeve të ushqimit.
Erdhi edhe një goditje për xhepin e qytetarëve. Që nga fillimi i krizës në Lindjen e Mesme, çmimi i dizelit u rrit për 21 denarë, kurse i benzinës për 12 denarë.
Rritja e çmimit të karburanteve po rrit presionin e cmimeve nëpër markete.
Qytetarët po alarmojnë se nëpër markete, paketimi prej 30 vezëve shitet mbi 300 denarë, një litër vaj gatimi sërish shkon në mbi 100 denarë, kurse shtrenjtime vërehen edhe tek produktet e mishit.
Këto shtrenjtime vijnë në periudhën kur buxhetet familjare përballen me presione të fuqishme. Për cdo familje, çdo hyrje nëpër markete, do të thotë përballje me dilemën – çfarë të blihet e çfarë të lehet për radhën tjetër. Problemi më I madh është se nuk rritet çmimi i produkteve të luksit, por të atyre që paraqesin bazë për ushqimin e përditshëm.
“A do ta paguajë populli çmimin e krizës së luftës? Me rritjen e çmimeve të derivateve të naftës, vendi është në prag të “shokut” të ri të çmimeve – alarmojnë ekspertët, edhe pse , sic thonë, edhe çmimet momentale janë të larta. Pritet të shihet nëse edhe tregtarët do të kenë qasje korrekte që presioni i cmimit të naftës të mos transferohet në shportën konsumatore”
Por, qytetarët nuk e masin krizën me terme ekonomike, por me fuqinë e tyre blerëse. Për ata, s`ka rëndësi nëse shtrenjtimet janë të mëdha ose të vogla në letër, por nëse me të njëjtat para mund ta mbushin shportën. Përgjigja në të shpeshtën e rasteve është negative.
“Valla shtrenjtë duken”
“Më parë çmimet ishin reale, tash pak janë rriture dhe me standardin që është këtu tek ne, çmimet janë shumë të larta. Qeveria duhet të merr masa që të ulen çmimet. Ndoshta kanë bërë thirrje për ulje, por tregtarët vazhdojnë me të vjetrën”
“Shtrenjtë krejt. Gjithcka është shtrenjtuar edhe ende do të shtrenjtohen. Po, treguam se do të hipin prap edhe benzina edhe tjerët”
“100% hiç mos pyet. Sa të shtrenjtohet benzina, si do ta sjell ai në shitore, nafta shtrenjtohet, asgjë të mirë nuk presim”
“Çmimet janë të larta edhe para luftës, çmimet janë të larta, rroga të vogla, rrogën nuk e japin tamam”
“Mendoj se çmimet duhet të ulen pak për popullatën. Jemi bërë për gjynah, mezi arrijmë të mbijetojmë. Standardi është bërë shumë i lartë, çmimet pak duhet të ulen. Pa marrë parasysh cfarë çmime, nuk jemi ne në Holivud që aq shumë të rriten çmimet, duhet pak më ulët”
Nëse trendi i rritjes së çmimeve vazhdon edhe ditëve në vijim, sofrat e festave fetare mund të jenë ndër më të shtrenjtat në disa sezone të fundit.
Derisa qytetarët shpresojnë se çmimet do të stabilizohen, realiteti nëpër markete tregon diçka tjetër – produktet ushqimore shtrenjtohen kurse festat vijnë me ngarkesë gjithnjë e më të madhe për buxhetin familjar.







