Deri tanimë janë anuluar shumë ngjarje sportive, e disa Federata kanë marrë vendim që ndeshjet e kampionatit përkatës të luhen me dyer të mbyllura, ndërsa në Itali, në vendin ku thuhet se është prekur më së shumti nga ky Virus, kampionati i futbollit Serie A është suspenduar deri më tre prill.
Koronavirusi ka kapluar gjithë Evropën, duke përfshirë këtu Maqedoninë e Veriut edhe Shqipërinë.
Ndeshja shumë e përfolur mes Kosovës dhe Maqedonisë thuhet se do të luhet pa tifozë, mirëpo një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar as zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Faton Zylbehari i cili në një intervistë për KosovaPress u shpreh se kjo Federatës nuk vendos për një gjë të tillë, vetëm se i respekton rekomandimet e dhëna nga autoritet përgjegjëse dhe deri më tani ende asgjë nuk është vendosur.
“Nuk mund të themi asgjë në këtë moment, përveç se t’ju konfirmoj se Federata e Futbollit të Maqedonisë në dy raste u desh të sillte vendim që ndeshjet e futbollit në Ligën e Parë dhe ato të Dyta të luheshin pa praninë e publikut, pasi një gjë e tillë u rekomandua nga Qeveria e vendit si masë parandaluese për mos përhapjen e koronavirusit. Do të thotë se FFM nuk vendos për gjëra të tilla, por vetëm respekton sugjerimin e instancave më të larta dhe përgjegjëse në shtet. Tani për fat të keq virusi shkon duke u përhapur dhe situata po bëhet alarmante në gjithë Evropën. Mbetet të shohim se si do të jenë zhvillimet në ditët në vijim dhe rekomandimet që do të vijnë nga autoritet përgjegjëse”, deklaroi fillimisht ai.
Ndërsa sa i përket përgatitjeve, Zylbehari u shpreh se gjithçka është duke shkuar në mënyrën më të mirë, duke shtuar se kjo ndeshje do të jetë nën masat e rrepta të sigurisë.
“Federata e Futbollit të Maqedonisë shumë kohë më parë ka nisur përgatitjet për përballjen me Kosovën, që është një ndeshje historike për dy vendet. Sigurisht që mundësia për kualifikim në Euro 2020 është një shans shumë shumë i madh, por paralel me sfidën e rezultatit, ne si vend organizator bartim edhe presionin për organizimin sa më të mirëfilltë të kësaj përballje, që realisht për shumë shkaqe edhe është specifike. Dy Federata tash e një kohë janë bashkuar në drejtim të organizimit sa më të mirë të kësaj ndeshje, dhe për gjithçka raportohet në UEFA që përmes komisioneve të veta ndjek të gjithë procesin. Deri në këtë moment gjithçka shkon sipas planit dhe mendoj se kjo ndeshje duhet të jetë një spektakël i vërtetë ku uroj që në një atmosferë korrekte dhe sportive, fitue si të vendoset në një spektakël edhe në teren”, përfundoi Zylbehari.
Ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovë zhvillohet më 26 mars në Shkup, ndërsa KosovaPress mëson se djelmoshat e kombëtares do të mblidhen më 23 mars në Prishtinë.ALMAKOS.