15/06/2024
13.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

A thua janë afruar zgjedhjet, partitë politike në takime me qytetarët?

Në Maqedoninë e Veriut “nuhatet” lehtë kur ka zgjedhje në kohë apo të parakohshme, vërehen takime të shpeshtuara të partive politike me qytetarët. Atmosferë e tillë po vërehet pikërisht në këtë periudhë dhe tani ekzistojnë dilemat nëse brenda këtij viti do të ketë zgjedhje të parakohshme apo do të mbahen në kohën e rregullt vitin që vjen. Aktualisht, Maqedonia e Veriut ndodhet përballë një udhëkryqi ku është e kushtëzuar për të bërë ndryshimet Kushtetuese e për këtë është e patjetërsueshme shumica prej 80 deputetëve, e për këtë partia më e madhe opozitare është shprehur kategorikisht kundër, ndërkaq pa deputetë të kësaj partie ndryshimet janë të pamundura. Nga ana tjetër, partia opozitare maqedonase si dhe partitë opozitare shqiptare janë shprehur se janë për zgjedhje të parakohshme. E së fundmi janë parë edhe takime të shumta me qytetarë nga partitë që janë në pushtet, shkruan Zhurnal.

Zgjedhjet afër, politikanët në terren takohen me qytetarët-

Pra, është shumë e lehtë për tu hetuar kur afrohen zgjedhjet qofshin ato normale apo të parakohshme, kur shihen politikanë të shumë në terren që takohen me qytetarë, dihet se tani kanë nevojë për ata. Përndryshe, pas zgjedhjeve zhduken dhe vështirë t’i gjesh në mesin e qytetarëve, jo se nuk duan të dëgjojnë hallet e tyre por pasi nuk janë në gjendje të gjejnë zgjidhje e të ndihmojnë qytetarët.

Ajo që është e çuditshme në këto lëvizjet e fundit të partive politike, është BDI partia më e madhe shqiptare e me kohë më të gjatë në pushtet që është drejt një ndarjeje e cila do të jetë jo lehtë e kalueshme për këtë parti. Në të njëjtën ditë e kohë dy fraksione të kësaj partie në takim me qytetarët. Në Çegran të Gostivarit, Ali Ahmeti, me pasuesit e tij, si dhe kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, e Artan Grubin, nga ana tjetër grupi i zjarrit në krye me Izet Mexhitin ishin në takim me qytetarët e Manastirit.

Grupi që qëndrojnë pas Ali Ahmetit në Gostivar folën për të arriturat e tyre, për ecurinë e vendit drejt Bashkimit Evropian, si dhe për kritikat ndaj pushteti lokal të udhëhequr nga kreu i ASH-së, Arben Taravari. Ndërkaq, grupi i zjarrit nga Manastiri folën mbi të gjitha për performancën e dobët të ekzekutivit të BDI-së në Qeveri, duke thekuar shkallën e ulët në investimet kapitale, arsim, ekologji, infrastrukturë e kështu me radhë.

Po me të njëjtin ritëm takimesh është e aktivizuar edhe partia opozitare shqiptare, Lëvizja Besa, kryetari i së cilës së bashku me sekretarët e partisë është takuar me banorët e Kondovës në Komunën e Sarajit. Gjithashtu nga kjo parti takime të shumta kanë zhvilluar edhe në shumë fshatra të Tetovës, si dhe në diasporë. Përpos, kësaj nga kjo parti proklamojnë prurje të reja.

Nga, Aleanca për Shqiptarët, takimet me qytetarët kanë qenë poashtu të një ritmi të lartë por nga kjo parti e kanë bërë në cilësinë e takimit të kryetarit të ri, Arben Taravri, me anëtarët e degëve dhe nëndegëve ku është e shtrirë kjo parti.

Ndërkaq, prej partive maqedonase partia në pushtet LSDM është e përgjumur në “grep” të votave të deputetëve për të siguruar numrin e nevojshëm për ndryshimet Kushtetuese. Dhe, mesa duket janë të pakënaqur nga zgjedhjet e fundit lokale dhe nuk dinë ka t’ia fillojnë me cilët qytetarë të takohen.

Nga ana tjetër, partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, kanë realizuar një sërë takimesh me qytetarë të shumtë, dhe nga secili takim kanë kritikuar dhe përmendur gabimet e Qeverisë aktuale dhe kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme.

A ka gjasa të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Zgjedhjet e parakohshme çdoherë janë në favor të partive politike opozitare, kjo mbase është e qartë në kampin politik maqedonas, madje kjo është edhe një ndër kërkesat e opozitares maqedonase, VMRO-DPMNE, që vendi duhet doemos të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por, ajo që është e pazakontë është situata politike në kampin shqiptarë, që po rrezikon politika shqiptare të mbetet vetëm me një parti opozitare, Lëvizjen Besa, ndërkaq katër partitë të tjera të jenë pjesë e së njëjtës shumicë parlamentare e partnerë koalicioni.

Megjithatë, edhe nga Lëvizja Besa kanë shprehur gatishmërinë për të qëndruar në opozitë dhe sigurisht janë të gatshëm edhe për të garuar në zgjedhje nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Ndryshe, Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së ka miratuar dy kërkesa kryesore në përgjigje të krizës politike dhe ekonomike. E para është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare jo më vonë se në pranverën e vitit 2023, siç thonë nga kjo parti, si e vetmja rrugëdalje nga kriza ekonomike dhe politike, si dhe përkrahja e KQ të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së në qëndrimin e mospranimit të ndryshimeve në Kushtetutë nën diktatin e Bullgarisë.

Nga ana tjetër, janë pakënaqësitë e mëdha te partia partnere në pushtet, BDI, të cilët e rrezikojnë stabilitetin e kësaj Qeverie dhe që mund të rrëzohet dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Duke marrë parasysh edhe aktivizimin e partive politike shqiptare dhe atyre maqedonase në takime të shpeshtuara me qytetarët nënkuptohet se zgjedhjet janë afër.

Megjithatë, partia më e madhe opozitare maqedonase po kërkon zgjedhje të parakohshme të cilat vendin do ta kthejnë sërish në pikën zero, dhe do të rrezikohet e ardhmja integruese e vendit nëse kjo parti fiton pushtetin dhe vjen në krye të Qeverisë. /Zhurnal.mk

Të fundit