27/04/2024
15.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Agresioni rus në Ukrainë, sulm ndaj gjithë botës demokratike!

Se agresioni rus në Ukrainë lëkundi themelet e demokracisë botërore kjo është e pakontestueshme. Sidomos në aspektin ekonomik u krijua një krizë gjithëpërfshirëse globale. Në fakt, e gjithë vëmendja e botës u zhvendos dhe koncentrua pikërisht në Ukrainë. Lufta çlirimtare e Ukrainës dhe sulmi rus nuk janë çështje vetëm mes dy shteteve por një betejë botërore. Fitorja e Ukrainës do të thotë fitore të botës demokratike dhe fuqizim i themeleve të partneritetit me SHBA-të dhe shtetet e BE-së. Mos ndëshkimi i Rusisë nga shtetet tjera si Serbia, është nxitje për krime të reja dhe për zgjerim të konfliktit. Nga ana tjetër ndihmat ndaj Ukrainës duhet të vazhdojnë me të njëjtin intensitet, shkruan Zhurnal.

Ambasadorja ukrainase në Shkup: Agresioni rus në Ukrainë, sulm ndaj gjithë botës demokratike

“Lufta e Rusisë nuk është vetëm luftë kundër Ukrainës, por edhe kundër botës demokratike, kundër vendeve të NATO-s”, ka thënë të hënën në Shkup ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Larysa Dir në një tribunë kushtuar dyvjetorit të agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë. Sipas saj, “mosndëshkimi i Kremlinit për krimet e kryera në Buça, Irpin, Mariupol, Izjum dhe Avdivka vetëm nxit krime shtesë”.

Ambasadorja ukrainase, Larysa Dir, i bëri thirrje Perëndimit që të vazhdojë me ndihmën për Ukrainën për përballje me agresionin rus.

“Ne kemi nevojë për armë për mbrojtje. Ne duhet të zgjerojmë koalicionet e mbrojtjes për të garantuar sigurinë. Është e nevojshme të forcohen sanksionet kundër Federatës Ruse dhe të zbatohen ato në mënyrë që të mos ketë financim indirekt të prodhimit të raketave që fluturojnë mbi kokat e ukrainasve dhe djegin tokën ukrainase”, theksoi ambasadorja Dir.

Duke dënuar agresionin rus, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se Shkupi mbetet i përkushtuar të bëjë gjithçka për të ndihmuar shtetin e Ukrainës.

“Lufta në Ukrainë është kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë evropiane, rezultati i së cilës do të ndikojë në rendin, jo vetëm në kontinentin tonë, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në vitet në vijim. Kjo luftë do të tregojë nëse përdorimi i forcës do të bëhet parimi bazë që duhet të përcaktojë natyrën e marrëdhënieve ndërmjet shteteve në këtë shekull, apo do të mbetet në fuqi ajo që është shkruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara që shtetet anëtare janë të barabarta ndërmjet tyre, pavarësisht nëse janë të vogla apo të mëdha”, ka deklaruar Pendarovski.

Në shënimin e dyvjetorit të agresionit rus morën pjesë ambasadorët e disa shteteve evropiane në Maqedoninë e Veriut, si ambasadorja amerikane Angela Ageler, por edhe qytetarë ukrainas dhe anëtarë të shoqatës “Lesja Ukrainka”.

Kujtojmë që, Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Kosova në fatin e Ukrainës –

Rreziku më i madh për zhvendosje të konfliktit në Ballkanin Perëndimor është përmes ndikimit të drejtpërdrejt të Rusisë mbi Serbinë. Nga ana tjetër, Kosova, shteti i pavarur dhe sovran garantues i stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pothuajse po ndanë fatin e njëjtë me atë të Ukrainës shtet i cili po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në Evropë, dhe që aktualisht ndodhet nën presion luftarak nga pushtuesi rus.

Mirëpo, përkrahja e vendeve Evropiane dhe SHBA-së ka qenë e pakompromistë duke ofruar mbështetje financiare dhe mjete ushtarake për të qëndruar ballë invazionit rus. Në sferën politike duke iniciuar shumë shtete që të sanksionojnë Rusinë për ndërhyrjen luftarake në territorin sovran dhe të pavarur të Ukrainës. Fundi i vitit që e lamë pas ishte i ngërthyer me tensione shumë të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me çka edhe shumë ekspert e parashihnin eskalim të situatës, duke marrë parasysh Serbinë që vazhdon të mbetet satelit i Rusisë, por në rast të një eskalimi të tillë përkrahja evropiane dhe amerikane a do të jetë e formatit të njëjtë në raport me Kosovën sikurse me Ukrainën?,

Ndryshe, përpjekjet e Rusisë për ta destabilizuar rajonin nuk janë të tanishme por datojnë më herët, fokusi i Rusisë është kryesisht në Kosovë, por nuk përjashtohen edhe shtetet tjera në të cilat ndikimi i propagandës ruse ka pasur një ngritje të hovshme. Prandaj, edhe nga Maqedonia e Veriut janë dëbuar shumë diplomatë rus për të cilët është vlerësuar se kanë bërë spiunazh dhe kanë keqpërdorur detyrën e tyre.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. /Zhurnal.mk

Të fundit