17/05/2024
10.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ali Ahmeti nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës, Rama rikthehet pas 13 vitesh në bashki: Falë tij shqiptarët në Maqedoni po përjetojnë ditët më të mira

Kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut. Ali Ahmeti u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës.Kryeministri Edi Rama u bë pjesë e ceremonisë së nderimit me titullin, ndërsa ishin të pranishëm edhe ish-presidentët Bamir Topi e Alfred Moisiu dhe ministrI i Brendshëm,Taulant Balla dhe deputeti Pandeli Majko.

Nderimi me titullin “Qytetar Nderi” u propozua nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe u mbështet nga anëtarët socialistë të këshillit bashkiak i Tiranës.

“Duke pasur parasysh se për kë duhet të flas sot, kisha shumë frikë se mund tu mbaj me orë të tëra për figurën personalitetin dhe karakterin e Ali Ahmetit. Shumë i nderuar dhe i dashur kryetar, Ali Ahmeti, të nderuar miq dhe të ftuar sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët e historisë sonë kombëtare.

E shkruar me stërmundime të jashtëzakonshme, jo vetëm shkak për fuqitë e mëdha, as vetëm për shkak fqinjësh më të fuqishëm, por edhe për shkak shqiptarësh të këqinj të cilët armët e luftës dhe demokracisë i përdorin kundër njëri tjetrit, pa pasur gajlen më të vogël se mes njëri tjetrit dhe të huajit të zgjidhnin të huajt. Nuk besoj se ndonjë komb tjetër në Ballkan, e ka vuajtur më shumë përçarjen mes vetes më shumë se shqiptarët.

Ali Ahmeti është një shqiptar ndër më të mirët, i cili vite më parë iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe të drejta të barabartë të vëllezërve dhe motrave tona në Maqedoni, me armët luftarake dhe asaj rezistence nuk kërkoi as gjakderdhje, as hedhjen në erë të shtetit të pavarësuar nga shpërbërja e Jugosllavisë. Armët në krahun e asaj rezistence malesh nuk synon ndarjen e Maqedonisë por bashkimin e saj nën të njëjtin flamur vlerash dhe parimesh mes vlerave demokratike të dy popujve, rruga e rezistencës së maleve që Ali Ahmeti e hapën me armët në krah, ishte rruga e një vizioni patriotik paqeje.

Ato armë në krah nuk ishin as një blof politikanësh të verbuar nga etja për pushtet dhe as një shaka aventurierësh. Është ende herët për tu shkruar historia e kësisoj shqiptari ndër më të mirët, por nuk është herët të thuhet se ndër shqiptaret e kësaj kohe, ndër të cilat shkëlqe edhe ndryshimi rrënjësor i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti është mjeshtri unë më i madh i përdorimit të armës së demokracisë për të afirmuar subjektivitetin tonë kombëtar. Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë nuk di ishin sot në ditën më të mirë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se është nder i veçantë që, një mik, frymëzues dhe misionar si Ali Ahmeti ndodhet sot në kryeqytetin shqiptar dhe i bashkohet Tiranës si qytetari më i ri. “Është një nder i veçantë që sot, miku, vëllai, frymëzuesi, misionari, kryetari Ali Ahmeti dhe familja e tij e bukur na është bashkuar, teksa do jetë qytetari më i ri i Tiranës sonë të madhe. Tirana, siç e përmendim ne në zhargonin tonë, i ka me pikatore qytetarët e nderit. Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Kristo Frashëri, Adem Demaçi, për të përmendur disa dhe sot do i bashkohet këtij gjerdani të njerëzve që e nderojnë qytetin tonë, me qytetarinë e nderit, kryetari ynë, lider, misionar, frymëzues, Ali Ahmeti”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi faktin se Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit shqiptar, por posaçërisht të kryeqytetit shqiptar. “Disa njerëz i hyjnë politikës duke pasur ndërmend një ekskursion shkurt në rrugët e saj, por pastaj dalin siç hyjnë, pa lënë asnjë shenjë, pa ngulitur asnjë gjurmë, pa lënë asnjë vepër në kujtesën e njerëzve. Disa i hyjnë politikës duke e përfytyruar si një aksesor, me të cilën thjesht do të shtojnë edhe një medalje në xhaketën e tyre apo një rresht në CV e tyre. Edhe këta të padukshëm dhe kollaj të harrueshëm në rrugëtimin e tyre. Disa të tjerë i hyjnë politikës të shtyrë nga një vokacion i brendshëm dhe bëjnë vepra, madje kryevepra. Këta janë ata që mbeten në histori dhe sot jemi dëshmitarë që Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit tonë dhe sot posaçërisht të qytetit tonë. Ky është modeli i një politikani dhe i një aktivisti të vërtetë. Ky është modeli i Ali Ahmetit, politikanit për të cilin liria është një substancë e shpirtit dhe qenies së vet, sipas parimit të Hegelit, të atyre që e kuptojnë domethënien e lirisë. E dëshmon rruga e tij, jo thjesht e gjatë dhe intensive, por sidomos gjurmëlënëse”, tha Veliaj.

Mandej, ai shtoi se Ali Ahmetin nuk e ka ndalur askush, as burgu, as lufta, e as stërkëmbëshat e as ndonjëherë konfliktet. “Ky është miku i jashtëzakonshëm që është me ne sot, herë petrit, që fluturon lartësive të qiejve në kërkim të lirisë dhe herë burim jetëdhënës i shqiptarisë dhe atyre që e duan kombin tonë. Siç duket, edhe pseudonimet e tij Petrit dhe Burim në kohën e Luftës, nuk kanë qenë edhe aq të rastësishme. Në qëllimet që i ka vënë vetes Ali Ahmeti asgjë s’e ka ndalur asnjëherë, as burgu, as lufta, e as stërkëmbëshat e as ndonjëherë konfliktet mes nesh, edhe kur armikun s’e kemi jashtë. Fati që e ka udhëhequr rrugëtimin e tij, duke mos e lënë kurrë në baltë, ka qenë gjithnjë madhështia rëndësia dhe domosdoshmëria e qëllimit që duhej arritur. Sepse qëllimet e Ali Ahmetit janë qëllime nga ato që i bëjnë luftëtarët, udhëheqësit dhe politikanët të meritojnë fjalën e thjeshtë, por shumë të vyer, patriotë dhe atdhetarë”, tha Veliaj.

Në fund, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se ky titull nuk nderon vetëm mikun e madh të shqiptarëve, Ali Ahmeti, por nderon po aq edhe Tiranën tonë. “Në këtë nderim të ndërsjelltë nuk është vetëm Tirana që nderon Ali Ahmetin me titullin qytetar nderi, por është nder në historinë e Tiranës që ju na jepni ne, duke qenë pjesë e familjes sonë, e skuadrës sonë dhe e misionit tonë. Nuk është vetëm Tirana që e nderon burrin që e ka shqiptarinë bosht të ekzistencës së vet, por njëherësh Tirana vetë nderohet, duke vlerësuar një figurë të jashtëzakonshme si miku ynë, vëllai ynë, Ali Ahmeti”, përfundoi Veliaj.

Ali Ahmeti u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” me propozim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me motivacionin: “në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, rritjen e marrëdhënieve politike, shoqërore dhe ekonomike midis komunitetit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me qytetarët e Tiranës, dhe forcimin e lidhjes mes komuniteteve për të ndërtuar një klimë të përbashkët të bashkëpunimit dhe respektit ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve”.Top Channel

Të fundit