02/05/2024
12.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ambasadorja e Suedisë në RMV, Ami Larson Jain e vizitoi Universitetin e Tetovës

Në vazhdën e aktiviteteve kushtuar Ditës së Evropës, të organizuara nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës dhe Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, më 8 maj 2023, ambasadorja e Suedisë në vendin tonë, Ami Larson Jain, e vizitoi Universitetin e Tetovës, me ç’rast u prit nga Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, Prof. Dr. Ylber Sela, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu dhe Prodekani për arsim, Prof. Dr. Ebrar Ibraimi.

Rektori, siç njofton Zyra për informim pranë UT-së, ambasadoren e njoftoi me ecurinë e punëve në Universitet, veprimtarinë arsimore-shkencore dhe kontributin që ky institucion jep për mirën e përgjithshme.

“Pas takimit, Ambasadorja para studentëve të Fakultetit Juridik mbajti një prezantim lidhur me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Me këtë rast, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli potencoi faktin se, ne gjithmonë mbështesim bashkëpunimin në kuadër të kontributit të tërësishëm dhe në veçanti në procesin e integrimit në BE dhe se vendi po ballafaqohet me një proces mjaft serioz lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimeve në Kodin zgjedhor, me qëllim të hapjes së rrugës për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë të vendit në BE”, thuhet në kumtesë.

Ambasadorja suedeze deklaroi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

“Republika e Maqedonisë së Veriut u ballafaqua me sukses dhe profesionalisht me procesin e skriningut. Kërkohet mbështetje për procesin e mëtutjeshëm të integrimeve evropiane. Mbetet prioritet çështja e sigurisë, zgjidhja e problemit të papunësisë, ruajtja e vlerave demokratike dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit. Korrupsioni është shumë i dëmshëm pasi shkatërron shoqërinë dhe dobëson demokracinë, e si rrjedhojë humbet besimi tek institucionet, po ashtu kërcënon funksionimin e ekonomisë dhe e prish konkurrencën, e nga tërë kjo në fund humbasin qytetarët, bizneset dhe shoqëria në tërësi”, tha ambasadorja Larson Jain.

Në komunikimin me ambasadoren, studentët e UT-së ishin mjaft aktivë dhe këtë e dëshmuan përmes pyetjeve dhe komenteve që kanë të bëjnë me çështjen e realizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe procesin e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje. zhurnal.

Të fundit