22/04/2024
7.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Arrestohet një person duke hyrë në Kosovë, i gjenden 96 mijë dollarë amerikan

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person me inicialet I.D, 1970, shtetas i Maqedonisë së Veriut pasi i janë sekuestruar 96 mijë dollarë amerikan, që dyshohen të jenë të falsifikuara.

Operacioni është zhvilluar të premten, rreth orës 23:00

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, më 29.03.2024, në orët e mbrëmjes, në bashkëpunim me institucionet e tjera të sigurisë, kanë realizuar me sukses Plani Operativ për parandalimin e futjes në Republikën e Kosovës të parave të falsifikuara.

Pas një pune operative-hetimore, rreth orës 23:00 (29.03.2024) është zhvilluar një operacion policor në Han të Elezit.

Paraprakisht ishin siguruar informata konkrete se personi i dyshuar I. D., (viti i lindjes 1970, shtetas i Maqedonisë së Veriut), është duke futur në Kosovë para të falsifikuara, konkretisht dollar amerikan.

I dyshuari është arrestuar në flagrancë nga hetuesit policor gjatë tentimit të tij për të vënë në qarkullim një sasi të madhe të dollarëve amerikan që dyshohet se janë të falsifikuara. I dyshuari 100 $ dollarë të falsifikuara, i shiste për 40 euro”, thuhet në njoftim.

Gjatë realizimit të operacionit policor, janë konfiskuar: 960 copë kartëmonedha nga 100 dollarë në total 96,000.00 (nëntëdhjetë e gjashtë mijë) dollarë amerikan, një automjet i përdorur në rast nga i dyshuari dhe një telefon celular.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është pjesë e operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga EUROPOL-i për luftimin e dukurisë së prodhimit dhe shpërndarjes së parave të falsifikuara.

Të gjitha veprimet hetimore janë ndërmarr në koordinim me prokurorin nga Prokuroria Speciale e Kosovës. I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/

Të fundit